Dega e Petrovecit braktisë Taravarin: Mbështesim koalicionin VLEN

Dega e Aleancës për Shqiptarët në Komunën e Petrovecit, e udhëhequr nga kryetari Arian Qerimi, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike në lidhje me qëndrimet e kreut të partisë, Arben Taravari.
Në një status në rrjete sociale , Qerimi i cili është gjithashtu anëtar i kryesisë qendrore të ASH-së – ka shprehur qartë distancimin nga çdo lëvizje që afron partinë me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI).
“Ne nuk mund të mbështesim bashkëpunimin me një subjekt si BDI, që për vite me radhë ka kontribuar në stagnimin dhe keqqeverisjen në dëm të interesave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut,” thuhet në reagimin e tij.
Dega e ASH-së në Petrovec thekson se vazhdon të qëndrojë fuqishëm në krah të koalicionit qeveritar VLEN, të cilin e konsideron si të vetmen alternativë të besueshme për ndryshim dhe përfaqësim të denjë të shqiptarëve në vend.
Sipas Qerimit, çdo devijim nga vlerat themelore të partisë është i papranueshëm dhe për këtë arsye, anëtarët dhe aktivistët e degës në Petrovec do të vazhdojnë rrugën e tyre politike nën ombrellën e VLEN-it.