Davos 2024…Permakriza*&Inteligjenca artificale

Shkruan: Driton DEMIRI, Gostivar
“Vitin e kaluar në Davos, fjala ‘polikrizë’ ishte në cik të të gjithëve, ndërsa liderët diskutonin për krizat e njëpasnjëshme dhe të ndërlidhura të momentit”. Sot, edhe pse vëmendja është tek krizat e reja, ato të vjetrat vazhdojnë.
–Frakturat gjeopolitike, kriza e përhapur e kostos së jetesës, inflacioni, kriza me energjinë dhe siguria e ushqimit, dhe sigurisht ajo çka është edhe më urgjente përkeqësimi i ndryshimeve klimatike, sërish mbeten në fokus të thellë teksa ky vit po fillon. Në një shtrirje tjetër, konfliktet shkatërruese luftarake, që vijojnë, ndonëse kanë mbetur, janë dhe konsiderohen relativisht të izoluara; ato vazhdojnë të tërbohen. Turbullirat financiare janë ende një shqetësim, pavarësisht se ekonomia globale po i largohet një recesioni tjetër të mundshëm.
Ndërsa jemi të gjithë globalë, jemi të ekspozuar ndaj informacionit. Që do të thotë, më shumë se çkado tjetër, prapëseprap ekonomia është më e forte se politika. Herësido që të ndodhë. Edhe pse politika është në ndeshje e përleshje këmbëngulëse me të. Ajo, si veprimtari skenike, në njërën anë, aktualisht prodhon gjithnjë e më shumë, liderë të pabesë, tinëzar, mendjemëdhenj, e kokëfortë. E në anën tjetër, të pa aftë, mendjelehtë, popullsitë e konformist. Me një fjalë, duke shndëruar politikën në mitologji, ata ngelin në klasë të dytë, dhe, kalojnë, në autoritete ryshfetesh, jo më tjetër gjë. Dhe, gjersa situata është acaruar dhe ndezur edhe këtyre ditëve në prag të konflikteve luftarake të tjera, siç pritej, vëmendja më e madhe i është kushtuar temave të luftës, kryesisht në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë. Poashtu, është trajtuar dhe çështja edhe e tregtisë gjithnjë edhe më të rezikshme përmes Detit të Kuq dhe e gjithë kjo pas sulmit të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve aleate ndaj objektivave në Jemen, të cilat janë nën kontrollin e rebelëve Houthi. E vërteta e së vërtetës, për ta shtruar çështjen, jo për të relativizuar por për të menduar e për të konkluduar, “kush fiton në gjithë këtë përleshje?”. Përgjigjen e gjejmë në një të vetme, ajo është se; ata që janë, pra, të pasur e që bëhen edhe më të pasur. Ndërkaq, kur jemi tek luftërat, megjithatë një e vërtetë e thjeshtë, sipas Shekspirit, nënkupton, se të gjithë luftërat duken pak a shumë njëjtë. Nuk është aspak e qartë pse duhet të luftojnë, pasi që nuk kanë asgjë për të luftuar. Merrni parasysh vargun e hapjes për Romeo dhe Zhulietën: “Dy familje, Montagët dhe Kapuletët, të dyja të ngjashme në dinjitet.” Të dy shtëpitë janë të ngjashme, megjithatë e urrejnë njëra-tjetrën. Ato bëhen edhe më të ngjashme me përshkallzimin e armiqësisë. Përfundimisht ata humbin idenë pse kanë nisur të luftojnë fillimisht, pasi humbin fëmijët e tyre. Kështu, përshkruan dhe cilëson, miliarderi Piter Thiël në librin e tij, Zero te Një, në titullin Lufta dhe Paqja, gjithmonë duke marrë parasysh krahasimin e ekonomisë (biznesit) me luftën.
E thënë thjesht, kur mendojmë për të ardhmen pyetja për liderët gjithëpërfshirës gjeopolitik e gjeoekonomik, ndërsa, takimi vjetor i 54-të i Forumit Ekonomik Global, Davos 2024, veçmë përfundon: “A do të jetë ky viti i një periudhë ‘permakrize‘. Apo do të jetë një kohë për zgjidhje dhe rimëkëmbje?”. Në këtë aspekt, askush nuk mund ta parashikojë saktësisht të ardhmen, sidomos liderët kontradiktor, mosbesues, të çmendur,paranojak e dështak dhe të pa përfillur, por dy gjëra, si dy ekstreme, dihen e shihen në perspektivë: njëra se pasiguria globale, luftërat, paqendrueshmëritë politike, ekonomia e brizhtë, varfëria dhe katastrofat klimatike do të vazhdojnë dhe do të jenë prezente, dhe tjetra se teknologjia, në kuptimin e Inteligjencës Artificiale si sinonim i Industrisë 4.0, gjëgjësisht, ekonomisë së re, do të ndryshojë gjërat në mënyrë edhe më radikale.
Meqenëse, sipas, organizatorëve të Forumit, se, Davos 2024 është një mundësi për palët e interesuara për të reflektuar mbi sfidat kryesore me të cilat përballet globi, të shënuara nga tensionet gjeopolitike të viteve të fundit, por edhe tendencat që do të përcaktojnë të ardhmen, si ekonomia e karbonit zero dhe inteligjenca artificiale. Që këtej, nën temën “Rindërtimi i besimit“, siç u tha, takimi synon të rivendosë dhe të përforcojë parimet themelore të transparencës, konsistencës dhe llogaridhënies midis liderëve. Me fokus të veçantë ndërlidhës në katër pikat kyçe mes pasigurisë dhe ndryshimit të shpejtë edhe atë: në arritjen e sigurisë dhe bashkëpunimit në një glob të thyer, krijimit të rritjes dhe vendeve të punës për një epokë të re, për një strategji afatgjate për klimën, natyrën dhe energjinë si dhe Inteligjencën Artificiale si një forcë lëvizese për ekonominë dhe shoqërinë.
Derisa, vendosim në prizë. Një epokë me triliona e triliona informacione n’a shfaqet përpara.
Si mund ta përdorim Inteligjencën Artificiale, për të përfituar të gjithë? Si do të ndërlidhet ajo me teknologjitë e tjera transformuese, duke përfshirë 5/6 G-në, llogaritjen kuantike dhe bioteknologjinë? Megjithëse, është risi fantastike, ndërkohë është dhe e rezikshme. Si një gjimnastikë e hatashme në trah ekuilibri. Manjati, Bill Gejts, para tre ditëve, nga Davosi, për CNN ka shpjeguar se me teknologjinë e re vjen dhe frika, por vijnë edhe mundësi të reja. Ai, gjithashtu, parashikon se teknologjia do të jetë subjekt i ndryshimeve dhe rregullimeve për të gjithë në vitet e ardhshme. Ndërkohë, Fondi Monetar Ndërkombëtar, ka patur një pikëpamje shumë më pak optimiste në raportin e saj gjatë kësaj jave. Ata thonë se Inteligjenca Artificiale do të thellojë pabarazinë pa ndërhyrjen e politikanëve.
Perderisa globi është më i ndarë dhe më i fragmentuar se kurrë, si rezultat i liderëve dështak e paranojak gjeopolitik.Takimi vjetor, katërditor, si përherë, ka mbledhur së bashku rreth 3,000 liderë globalë, nga mbi 125 vetëm për të diskutuar, jo për të trajtuar sfidat dhe zgjidhur krizat me të cilat përballet globi. Në një mishërim, siç nënvizohet, të dialogut të hapur dhe konstruktiv midis liderëve qeverisës, sipërmarrjes, akademisë, mediave dhe shoqërisë civile. Me një qëllim, për të ndihmuar në lidhjen e pikave në një mjedis gjithnjë e më kompleks dhe të sigurojë largpamësi duke prezantuar përparimet më të fundit në shkencë, industri dhe shoqëri.
Citat: “Ne nuk mund të ndërtojmë një të ardhme për nipërit tanë me një sistem të ndërtuar për gjyshërit tanë.” (Antonio Guterres, Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së; 17 janar 2024)
*krizë e zgjatur (dhe në të vërtetë, nëse përmblidhen ngjarjet që shënuan tre vitet e fundit, duke filluar me pandeminë, konfliktet e luftërave, kriza me energjinë dhe inflacionin, ndryshimet klimatike, dhe paqendrueshmërinë ekonomike, imponohet si një fjalë shumë e saktë)



