Danimarka: Rutte nuk mund të negociojë për Grenlandën

Qeveria daneze ka deklaruar se Mark Rutte “nuk mund të negociojë në emër të Danimarkës ose të Grenlandës”, në sfondin e “marrëveshjes kornizë” për ishullin Arktik të njoftuar pas takimit të Donald Trump me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s dje.
Konkretisht, kryeministrja daneze Mette Frederiksen përshëndeti progresin e arritur në lidhje me çështjen e Grenlandës, por theksoi se situata mbetet “e vështirë dhe serioze” .
“Vetëm Danimarka dhe Grenlanda mund të marrin vendime për çështjet që i shqetësojnë ato. Ne mund të negociojmë të gjitha çështjet politike – sigurinë, investimet, ekonominë, por nuk mund të negociojmë sovranitetin tonë”, tha ajo.
Me një ton të ngjashëm, ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, deklaroi se Rutte “nuk mund të negociojë një marrëveshje” në emër të Danimarkës ose Grenlandës.
Megjithatë, ai shtoi se sekretari i përgjithshëm i aleancës ushtarake po punon “me përkushtim për të ruajtur unitetin brenda NATO-s” dhe është “shumë pozitive” që aleanca dëshiron të bëjë më shumë për të forcuar sigurinë në Arktik. “Ne jemi në një pozicion shumë më të mirë sot sesa ishim dje”, tha ai.



