Çorapë të verës në çizme të dimrit

Shkruan: Iljasa Salihu

Për ta mbrojtur djalin moralisht, duhet edukuar shpirtërisht vajzën dhe për ta mbrojtur vajzën moralisht duhet edukuar shpirtërisht djalin. Ndonëse, nuk jemi në çdo pikë të barabartë me vajzat apo gratë, por në pikën e moralit pa asnjë dyshim jemi të barabartë; ajo që nuk është e moralshme për vajzat e tillë është edhe për djemtë. Një familje e shëndoshë nuk do t’i mbyllte sytë për djalin në rast se ai do të prekte në moral të huaj dhe në anën tjetër do ta bënin kijametin nëse e njëjta gjë i ndodhë vajzës, paçka se bëhen kinse harrojnë që “preja” e djalit të llastuar është vajza e dikujt. Po ashtu, një burrë i martuar që prekë në kurorë të huaj është mirë ta mendojë nëse një burrë tjetër do të ledhatonte në kurorën e tij, edhe pse në mendësinë tonë mbizotëruese bartësin e llojit të parë të prekjes e shohin si Don Zhuan, kurse për barrën e llojit të dytë të prekjes xhelozohet si Dan Asllan. Më vjen keq, por në këtë pikë si familje shqiptare kemi dështuar, faturat e të cilëve dita ditës po i paguajmë me shpresë se ky çmim i lartë një ditë do të na kthjellë! Mirëpo, për t’u jetësuar një kthellje e tillë e plotë, nevojitet edhe një mjedis i shëndoshë, gjë që sot me vështirësi mund ta gjesh.

Materializmi pafre, hedonizmi grykor, korrupsioni nëpër gjykata dhe përgjithësisht në drejtësi, flakja e Zotit dh e fesë në emër të larmi teorish të kalbuara dhe ideologjish të mykura, mediat që përmes lajmit më të keq mundohen të përfitojnë sa më shumë shfletime, janë dukshëm duke e mbytur një mjedis të shëndoshë. Sot, media i jep hapësirë atyre që ftojnë dhe përurojnë shkërmoqjen e moralit dhe kur të ndodhë ndonjë gjëmë në shoqërinë tonë, janë të parat që reagojnë, jo për të përmirësuar ndonjë gjë, por për ta arsyetuar praninë e tyre, mbijetesa e të cilave varet nga gjaku dhe gjëma e viktimave. Projekti famëkeq si Big Brother, në masë të madhe është duke ndikuar në normalizimin e pamoraliteteve. Pastaj, reklamat që jepen në pikë të ditës nga televizionet që i vlerësojmë serioze, ku për ta reklamuar një çamçakëz, dy të rinj më shumë se gjysmë të zhveshur luajnë skena të nxehta erotike, kurse ti si familjar duke i pritur lajmet për pasojat e vërshimeve, tog me familjen të bie në hise ta shohësh një poshtërësi të tillë. Po ashtu, ndërhyrjet e thella estetike për ta bërë sa më bombë një femër, zhveshja e tyre, lehtësia për të hyrë nëpër faqet erotike dhe pornagrafike, kanë kaluar tashmë çdo përmasë, ku për një djalë të ri dhe vajzë të re, janë sfida të vërteta, sfida që nesër potencialisht një të tillë të sfiduar, mund ta trajtësojnë në një xhelat, që ngaxmon femra udhëve, kafeneve, nëpër shkollë e nëpër rrjete sociale, mbase mund të bëhet një ditë edhe përdhunues. Jeta sikur nëpër filma e paraqitur nëpër rrjete sociale, ka çoroditur mendjen e të resë dhe të riut, të cilët nënvetëdijshëm po e braktisin moralin në shkëmbim të materialit, traditën e mirë në shkëmbim të trendit. Duan më shumë veturën se sa ngasësin e saj dhe nesër kur ngasësi t’u del rrotë, atëherë kuptojnë se pak vonë është për t’u ankuar për shkelje të pamëshirshme! Në anën tjetër, pikërisht në këtë mjedis xhungël dhe në këtë kohë sprovash, prindërit nuk interesohen se fëmijët e tyre për çfarë janë duke i përdorur telefonat, me kë janë duke u shoqëruar dhe pas pllakosjes së errësirës në tokë, ku gjenden fëmijët? Pse ata, ashtu së bashku djemë e vajza mund t’i shohësh në ndonjë skaj të errët edhe pas orës 11 të natës? Vallë, si mund të bëhen gati për gjumë këta prindër që e dinë se fëmijët e tyre nuk e dinë ku i kanë dhe më kryesorja nuk i kanë nën të njëjtin kulm!

S’do mend se edhe dhënia vlerë dhe rëndësi e njerëzve të pasur, përkundër që dihet si është arritur ajo pasuri dhe nënvlerësimi i njerëzve të drejtë dhe të moralshëm, bëri që mjedisi ynë të sëmuret aq shumë, saqë edhe mjekët më të mirë po habiten dhe nuk janë duke e ditur se si t’i qasen këtyre sëmundjeve që janë në kufi të sëmundjeve kronike. Për fat të keq, në këso mjedisesh dhe mendësish, ku shumica e rrugëve të shpiejnë në degjenerim, duke shtruar rrugë paraprakisht në emër të thyerjeve të çdo tabuje dhe tradite, që për shekuj kanë dhënë rezultate të mira, mund të përdhunosh dhe mund të përdhunohesh, për më keq, pastaj edhe mund ta shantazhohesh nga përdhunuesi, të diskriminohesh nga drejtësia dhe të anatemohesh nga shoqëria. Sot, mund të jesh nxitës i xhelatëve dhe nesër mund të bëhesh viktimë e tyre, ngaqë ky mjedis pasi krijoi xhelatë të shumtë dhe të llojllojshëm, krijoi edhe viktima, sepse njëri krijon tjetrën dhe kështu arrijnë ta mbajnë veten në jetë. Në këtë mjedis, inspektori që përmes korrupsionit shpëtoi xhelatin, harroi se përmes këtij akti, i shtroi rrugë atij që nesër lehtësisht do të ketë qasje edhe në fëmijët e tij, prandaj jo rastësisht për raste dhe mjedise të tilla thuhet se të gjithë jemi fajtor, kush më shumë e kush më pak! Mjerisht, nesër del që edhe viktima nuk ishte krejt i pafajshëm, ngaqë heshti kur duhej të reagonte dhe bëri ish atëherë kur dhelpra i kishte kollofitur të gjitha pulat. Në emër të ndonjë suksesi, flijoi disa norma morale dhe për t’u dukur sa më modern, mu në dimrin e acartë mbathi çorapë të verës në çizme të dimrit. Tani çizme kemi, por me këmbë të mërdhira, plus po dukemi edhe qesharak, madje edhe halabak!

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button