Conor McGregor shpall synimet për të kandiduar për presidencën e Irlandës

Ylli i arteve marciale të përziera (MMA) dhe ish-kampioni i UFC-së, Conor McGregor, ka njoftuar synimin e tij për të kandiduar për presidencën irlandeze, duke u zotuar të sfidojë qëndrimin e qeverisë ndaj Paktit të Migracionit të BE-së dhe duke mbrojtur një referendum publik për këtë çështje, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë në Instagram, McGregor deklaroi kundërshtimin e tij ndaj marrëveshjes së migracionit, të cilën Irlanda duhet ta zbatojë plotësisht deri më 12 qershor 2026.
Ai kritikoi zyrtarët e qeverisë për mbështetjen e paktit dhe u zotua se do t’u japë qytetarëve fjalën e fundit.
“Kush tjetër do t’i rezistojë qeverisë dhe do ta kundërshtojë këtë projektligj? Çdo kandidat tjetër presidencial që ata do të përpiqen të paraqesin nuk do të bëjë rezistencë. Unë do ta bëj”, tha ai.
“Për qartësi gjithashtu, si president, unë do ta vendos këtë projektligj në referendum”, tha McGregor.
“Megjithëse e kundërshtoj shumë këtë pakt, vendimi nuk më takon as mua, as qeverisë. Është zgjedhja e popullit të Irlandës! Gjithmonë! Kjo është një demokraci e vërtetë”, shtoi ai.
McGregor vuri në pikëpyetje pse zyrtarët qeveritarë “pajtohen kaq shumë” me paktin dhe bëri thirrje për debate të ndjekura nga një votim publik.
Njoftimi i tij e pozicionon atë si një sfidues ndaj establishmentit politik përpara zgjedhjeve presidenciale të Irlandës, të cilat duhet të zhvillohen deri më 11 nëntor 2025.
Pakti i BE-së për Migracionin synon të reformojë politikat e azilit dhe migracionit në gjithë bllokun, duke kërkuar nga shtetet anëtare të miratojnë legjislacionin e nevojshëm brenda kornizës kohore të caktuar.