Connolly pritet të bëhet presidentja e re e Irlandës pas dorëzimit të kundërshtares

Kandidatja e pavarur me prirje të majta, Catherine Connolly, pritet të bëhet presidentja e ardhshme e Irlandës, pasi rivalja e saj ka pranuar humbjen.
Numërimi i votave për zgjedhjet presidenciale vazhdonte ende të shtunën, por Heather Humphreys nga partia qendër-e-djathtë Fine Gael u tha gazetarëve se “dëshiron të përgëzojë Catherine Connolly-n për t’u bërë presidentja e re e Irlandës”.
“Catherine do të jetë presidente për të gjithë ne, ajo do të jetë edhe presidentja ime, dhe me të vërtetë dua t’i uroj gjithë të mirat,” tha Humphreys.
Fletët e votimit po numëroheshin me dorë, ndërsa rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të së premtes pritet të shpallet më vonë gjatë ditës së shtunë, sapo të përfundojë numërimi në të gjitha 43 zonat elektorale të vendit.
Sondazhet kishin treguar vazhdimisht mbështetje të fortë për Connolly-n, 68 vjeçe, përballë rivales së saj Humphreys, 64 vjeçe.
Zëvendëskryeministri dhe kreu i Fine Gael, Simon Harris, gjithashtu i uroi Connolly-t “çdo sukses”, duke shtuar: “Ajo do të jetë presidente për gjithë vendin tonë.”
“Suksesi i saj do të jetë suksesi i Irlandës,” shkroi ai në platformën X.
Connolly, ish-avokate dhe deputete e pavarur që nga viti 2016, është shquar për kritikat e saj ndaj Izraelit lidhur me luftën në Gaza dhe ka fituar mbështetjen e një sërë partish të majta, përfshirë Sinn Féin, Labour Party dhe Social Democrats.
Fushata e saj ka qenë veçanërisht popullore tek të rinjtë, të cilët e kanë përkrahur për qëndrimin e saj të fortë pro-Palestinës dhe angazhimin për drejtësi sociale, ndër të tjera.
Connolly dhe Humphreys ishin të vetmet kandidate pasi Jim Gavin, kandidati i partisë Fianna Fáil të kryeministrit Micheál Martin, u tërhoq nga gara tre javë para zgjedhjeve për shkak të një mosmarrëveshjeje të vjetër financiare. Martin e kishte mbështetur Gavin-in në këtë garë.
Ndonëse presidentët irlandezë përfaqësojnë vendin në arenën ndërkombëtare, presin krerë shtetesh dhe luajnë një rol të rëndësishëm kushtetues, ata nuk kanë kompetenca për të formësuar ligjet apo politikat.
Fituesja do ta pasojë Michael D. Higgins, i cili ka qenë president që nga viti 2011 dhe ka përfunduar dy mandate shtatëvjeçare, numrin maksimal të lejuar.
Nëse konfirmohet, Connolly do të jetë presidentja e 10-të e Irlandës dhe gruaja e tretë që mban këtë post.



