Conceição, pas humbjes ndaj Feynoordit: Ishim pak agresivë, futbolli luhet me 11 lojtarë…
![](https://alfax.mk/wp-content/uploads/2025/02/konseisao-780x470.png)
Për të mbetur në lojë në “Kuip”, stadiumi që ngjan me një “vaskë të stuhishme” kur luan Feyenoordi, duhet të dish të notosh shumë më mirë se kaq. Milani u fundos pas vetëm katër minutash dhe mbeti “nën ujë” për pjesën më të madhe të sfidës.
Pjesa e parë u dha si dhuratë, një problem që është shfaqur shpesh gjatë sezonit, por ndryshe nga ndeshjet e tjera, këtë herë edhe reagimi në pjesën e dytë ishte minimal. Sergio Conceição, i cili donte të shlyente humbjen në Zagreb, tani duhet të përballet me një tjetër katastrofë. Dhe ndeshja e kthimit, të martën në “San Siro”, do të jetë një provë pa kthim.
Në prag të ndeshjes, trajneri kuqezi fliste mbi dëshirën për të “bërë lojën” dhe një “skuadër në rritje”, por këto fjalë mbetën thjesht teori. Rënia e ekipit zhbëri të gjithë shkëlqimin e “Fab Four”, katërshes së famshme sulmuese, e cila jo vetëm që nuk bëri asnjë goditje të fuqishme ndaj Feyenoordit, por tregoi vështirësi edhe në veprimet më bazike të lojës.
“Jemi në mes të rrugës, ende ka një ndeshje kthimi, – e filloi analizën e tij pas ndeshjes Conceição. – E dinim që do të ishte një ambient i vështirë. Kundërshtari ishte shumë agresiv, fitoi shumicën e dueleve si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje.
Në këto kushte është e vështirë të fitosh. Kishim raste për të marrë të paktën një barazim, por nuk ishim efektivë. Te goli i pësuar patëm pak fat të keq, por në përgjithësi na mungoi agresiviteti. Lojtarët duhet të kuptojnë dhe të shohin se ku mund të përmirësohen, sepse koha është e shkurtër”.
Trajneri theksoi se cilësia e lojtarëve nuk varet vetëm nga aftësitë teknike: “Përveç teknikës, duhen edhe karakteristika të tjera: qëndrueshmëria, vazhdimësia, dëshira, qëndrimi i duhur dhe agresiviteti në sulm. Gjithçka është e lidhur, nga ana motivuese duhet të jemi gjithmonë në maksimum”.
Për zgjedhjen e të luajturit me 4 sulmues, Conceição u përgjigj: “Pas ndeshjes, të gjithë bëhen të mençur. Para fillimit të sfidës vendosa të luaja kështu, sepse mendova se ishte më e mira. E kuptoj kureshtjen, por në fund të fundit, futbolli luhet me 11 lojtarë. Pastaj është detyra ime të gjej ekuilibrat”.
Pas kësaj deklarate, konferenca për shtyp përfundoi shumë shpejt, pasi trajneri u largua nga salla pas vetëm një pyetjeje, duke u shprehur me pak irritim: “Prita 15 minuta jashtë (ndërsa përfundonte intervista e një lojtari të Feyenoordit) dhe tani mjaft”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.