CNN: Hakerë të lidhur me Iranin depërtojnë në emailet personale të drejtorit të FBI-së

Hakerë të lidhur me qeverinë e Iranit kanë arritur të depërtojnë në emailet personale të drejtorit të Byrosë Federale e Hetimeve (FBI), Kash Patel, dhe kanë publikuar fotografi dhe dokumente të marra nga llogaria e tij, raportoi sot CNN, transmeton Anadolu.

Hakerët kanë publikuar disa fotografi të Patelit të bëra para se ai të merrte detyrën si drejtor i FBI-së, duke pretenduar se ato janë marrë nga emaili i tij personal. Një burim me njohuri për situatën i ka verifikuar këto imazhe për CNN-in.

Sipas një vlerësimi fillestar të CNN-it mbi dosjet, të kryer me ndihmën e një hulumtuesi të pavarur të sigurisë kibernetike, emailet e komprometuara duket se përfshijnë periudhën nga viti 2011 deri në vitin 2022 dhe përmbajnë një përzierje komunikimesh personale, profesionale dhe të lidhura me udhëtime që Patel kishte me kontakte të ndryshme.

Hulumtuesi, Ron Fabela, ka thënë se ajo që grupi i hakerëve e përshkruan si depërtim në sisteme “të papërshkueshme” të FBI-së është në fakt shumë më pak dramatike, duke përfshirë materiale të zakonshme personale si fotografi familjare dhe informacione që lidhen me kërkimin e një apartamenti në të kaluarën nga Patel.

“Kjo nuk është komprometim i FBI-së — është thjesht sirtari personal i dikujt”, ka thënë ai.

Më herët këtë muaj, grupi i hakerëve i lidhur me Iranin kishte kryer gjithashtu një sulm kibernetik që ndërhyri në operacionet e një kompanie të madhe amerikane të pajisjeve mjekësore.

Në atë kohë, grupi pretendoi se sulmi ishte hakmarrje për goditjen me raketë ndaj një shkolle fillore në Iran, për të cilin mediat shtetërore iraniane raportuan se kishte shkaktuar vdekjen e të paktën 168 fëmijëve.

Pentagoni ka deklaruar se është duke e hetuar incidentin. Ndërkohë, Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ka akuzuar hakerët se punojnë për Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button