Çmitizimi i figurës së Skënderbeut si rrezik për unitetin kombëtar!

Shkrimi ose krijimi i historisë në mënyrë “objektive” është i pamundur, para së gjithash për shkak të “natyrës njerëzore”, e cila domosdoshmërisht, a priori, është “subjektive”, pra e paaftë të çlirohet nga ngarkesat historike, kulturore dhe shoqërore. Por, përtej kësaj, shkrimi i historisë shpeshherë shtrembërohet në mënyrë të vetëdijshme për qëllime të caktuara të pushtetit. Prandaj, historia nuk është vetëm objekt i shkencëtarëve ose historianëve që ligjërohet dhe studiohet në katedrat universitare ose brenda instituteve të specializuara. Përkundrazi, historia ose e kaluara është një fushë interesi për pushtetin dhe ideologjitë politike.
Shkruan: Murat ALIU, Prilep
Kush e shkruan të shkuarën? Historia si arenë e pushtetit
Ashtu si edhe kombi, miti dhe e gjithë historia janë ndërtim – në raste të caktuara, siç thotë Hobsbawm-i, “shpikje” për qëllime të caktuara politike dhe ideologjike. Pra, miti dhe historia janë në një marrëdhënie të ngushtë me pushtetin – është pushteti ai që i ndërton narrativat mitike dhe historiografike. Qasja që vë në pah marrëdhënien ndërmjet pushtetit dhe historisë/kaluarës është, sigurisht, e kohëve të fundit, kryesisht postmoderne dhe poststrukturaliste. Por, përkundër kësaj, përgjatë historisë, mendimtarë, teoricienë dhe historianë të ndryshëm kanë argumentuar se historia duhet dhe mund të shkruhet në mënyrë objektive. Këtu, me mënyrë “objektive”, kemi parasysh pasqyrimin e ngjarjeve ose ndodhive historike, ashtu siç vërtet kanë ndodhur. Një ndër historianët më të spikatur, mbështetës i kësaj ideje, Leopold von Ranke – pionier dhe themelues i historiografisë së shekullit XIX – argumenton se historia duhet “të tregohet/shkruhet ashtu siç ka qenë”. Sipas tij, historia mund të shkruhet pikërisht ashtu siç ka ndodhur në të vërtetë dhe ai e kritikon mendimin sipas të cilit historia duhet të shkruhet në mënyrë që t’i shërbejë të tashmes dhe të ardhmes. Ranke, në veprën e tij Historia e Popujve Latinë dhe Teutonikë (1494–1535), për këtë marrëdhënie, pra për marrëdhënien midis së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes, thotë se: “Në epokën moderne historisë i është dhënë detyra të gjykojë të shkuarën me qëllim që të orientojë të tashmen dhe me qëllim që të përcaktojë të ardhmen. Kjo vepër e imja nuk ka një pretendim të tillë; me këtë vepër dua vetëm të zbuloj se çfarë ka ndodhur në të vërtetë.”
Megjithatë, shkrimi i historisë në mënyrë objektive duket diçka e pamundur. Historiani Edward Hallet Carr, në librin e tij Ç’është historia?, argumenton se historinë mund ta shqyrtojmë vetëm nga perspektiva e së tashmes dhe se kuptimin tonë për të kaluarën e formojmë përmes vëzhgimeve të së sotmes. Historiani është një njeri i kohës së tij dhe është i lidhur me frymën e kohës. Gjatë shkrimit të historisë, ai pasqyron domosdoshmërisht përvoja dhe botëkuptime subjektive. Në këtë kuptim, këmbëngulja për rolin e historianit në bërjen e historisë, nëse merret në përfundimin e saj racional, e bën të pamundur çdo histori objektive. Historiani, para së gjithash, është një homo politicus — një qenie që domosdoshmërisht reflekton botëkuptimet, pikëpamjet dhe ideologjinë e tij gjatë shkrimit të historisë. Nga ana tjetër, sipas Carr-it, historiani në punën e tij nuk varet plotësisht nga mjedisi dhe rrethanat kulturore e shoqërore, megjithatë ekziston një pjesë e pavarur e tij. Kësisoj, sipas tij, historiani nuk është as një skllav i pafuqishëm i fakteve, as një sundues mizor i tyre. Marrëdhënia midis historianit dhe fakteve është një raport barazie dhe reciprociteti. Ndërsa historiani punon, si interpretimi, ashtu edhe përzgjedhja dhe renditja e fakteve pësojnë ndryshime të ndjeshme dhe, ndonjëherë, të pavetëdijshme, nëpërmjet ndërveprimit të të dyjave. Duke qenë se historiani është pjesë e së tashmes, ndërsa faktet i përkasin së shkuarës, ky ndërveprim i ndërsjellë sjell një reciprocitet midis së tashmes dhe së kaluarës. Bazuar në këtë, Carr-i argumenton se historia është një proces ndërveprimi i vazhdueshëm dhe i ndërsjellë midis historianit dhe fakteve të tij – një dialog i pafund midis së tashmes dhe të kaluarës, kjo për arsye se e kaluara nuk konceptohet si një entitet i pavarur, i pakapshëm dhe që tejkalon të tashmen. Ajo gjithmonë imagjinohet si një e tashme e shkuar. Edhe filozofi Karl Popper thekson se çdo brez ka të drejtë ta interpretojë historinë ndryshe nga gjeneratat e mëparshme, pasi çdo brez përballet me sfida dhe probleme unike dhe ka perspektiva specifike për interesat e veta. Sipas tij: “Nuk mund të ketë një histori e cila shkruhet ashtu siç ka ndodhur në të vërtetë në të kaluarën. Mund të ketë vetëm interpretime historike, dhe asnjë nga to nuk është përfundimtare apo absolute.” Siç mund të vërehet nga këto rreshta, të shkruarit e historisë është gjithmonë relativ dhe subjektiv. Në këtë kontekst, historia që na përcillet nga historianët është gjithmonë një interpretim dhe, duke qenë kështu, ajo kurrë nuk paraqet një “të vërtetë” absolute, ashtu siç shpesh jemi mësuar ta konceptojmë. Popper-i pohon se çdo brez ka të drejtë të krijojë interpretimet e veta të historisë dhe kjo nuk është vetëm një e drejtë, por edhe një detyrë.
Pra, shkrimi ose krijimi i historisë në mënyrë “objektive” është i pamundur, para së gjithash për shkak të “natyrës njerëzore”, e cila domosdoshmërisht, a priori, është “subjektive”, pra e paaftë të çlirohet nga ngarkesat historike, kulturore dhe shoqërore. Por, përtej kësaj, shkrimi i historisë shpeshherë shtrembërohet në mënyrë të vetëdijshme për qëllime të caktuara të pushtetit. Prandaj, historia nuk është vetëm objekt i shkencëtarëve ose historianëve që ligjërohet dhe studiohet në katedrat universitare ose brenda instituteve të specializuara. Përkundrazi, historia ose e kaluara është një fushë interesi për pushtetin dhe ideologjitë politike.
Kësisoj, është një fenomen dhe praktikë e njohur që historia gjithmonë është shfrytëzuar dhe instrumentalizuar nga politikanë, historianë dhe intelektualë për të përligjur interesa politike dhe ideologjike. Historia dhe e kaluara janë, pa dyshim, mjete të përshtatshme legjitimimi për ideologji të caktuara dhe qendra të caktuara të pushtetit politik. Teza se historia është një trillim, të paktën, po aq e vjetër sa vetë historia dhe, shpeshherë, kjo duket si një e vërtetë.
Instrumentalizimi i historisë apo historiografisë për qëllime politike të klasave sunduese është një fenomen kryesisht i epokës moderne, kjo sepse në periudhën paramoderne dhe para Iluminizmit, të shkruarit e historisë ishte i privuar nga dimensioni teleologjik. Ndërkaq, me filozofinë iluministe, historia filloi të konceptohej si një shkencë që duhet t’i shërbejë një qëllimi të caktuar. Shikuar nga kjo optikë, historiani Keith Jenkins pohon se “historia nuk shkruhet kurrë për vete, porse gjithmonë shkruhet për dikë tjetër.” Jenkins-i thekson se historia, pjesërisht, i krijon identitetet e njerëzve, buron nga marrëdhëniet e pushtetit dhe, si e tillë, funksionon si një mjet legjitimimi: “Kur ligjërimi dominues flet për rishkrimin e vazhdueshëm të historive, ai e bën këtë në një mënyrë që zhvendos nevojat reale (…). Por, si dhe pse? Përgjigja për këtë, e nënkuptuar tek Orwell-i, është: sepse marrëdhëniet e pushtetit prodhojnë diskurse ideologjike që thonë se “historia si njohuri” është e nevojshme për të gjithë ata që përfshihen në lëvizjet konfliktuale legjitimuese.” Jenkins-i argumenton se asnjë historian nuk mund të përfshijë të gjitha ngjarjet e së kaluarës dhe, për pasojë, ai transmeton vetëm një pjesë të saj. Kështu, historiani është domosdoshmërisht selektiv: “Historia, sado e verifikueshme, e pranuar gjerësisht ose e testueshme, është në mënyrë të pashmangshme një konstrukt personal. Mbetet shprehja e këndvështrimit të historianit në cilësinë e tij si “narrator”. Historia gjithmonë bashkon, ndryshon dhe ekzagjeron këndvështrime të ndryshme të së shkuarës. Historia bëhet nga njerëz që ia atribuojnë vetes karakteristikat e historianëve dhe historianët nuk janë të lirë nga vlerat ideologjike, qofshin ato të pavetëdijshme apo të vetëpranuara gjatë procesit të prodhimit të saj.” Prandaj, Michel Foucault-ja argumenton se “e kaluara, e përpunuar si histori, është një proces i pafund interpretimi i ndërmarrë nga historiani si një veprimtari imagjinare.” Për Foucault-në, historia nuk është kurrë objektive, sepse nuk mund të jetë e pavarur nga vetë historiani, nga koha e tij ose nga efektet e kontekstit kulturor, shoqëror dhe politik. Objektiviteti, sipas Foucault-së, është vetëm një mit.
Miti i Skënderbeut dhe kombi
Në shumicën e përkufizimeve të kombit, ndër elementët konstituivë të tij pa dyshim janë mitet kombëtare. Pra, pa mitet është vështirë të imagjinohet një komb. Kombi, në thelb, është një bashkësi njerëzish të cilët identifikohen dhe solidarizohen mes vete përmes “gjërave” të përbashkëta, siç janë gjuha, e kaluara e përbashkët, kujtesa e përbashkët, mitet e përbashkëta etj. Pra, ashtu si elementët e tjerë, edhe mitet shërbejnë për unifikimin dhe solidarizimin e anëtarëve të komunitetit imagjinar mes vete. Ashtu si historia/e kaluara gjendet në një marrëdhënie të ngushtë me pushtetin, edhe miti është produkt i pushtetit. (Ri)prodhimi i miteve gjithmonë është në funksion të një qëllimi politik e ideologjik. Në epokën moderne, funksioni i mitit është legjitimimi i pushtetit politik dhe ideologjive. Për më tepër, shumë studiues pohojnë se funksioni i ideologjisë në periudhën moderne është i ngjashëm me funksionin e miteve në shoqëritë e para. Prandaj, marrëdhënia ndërmjet diskurseve të prodhuara nga mitet dhe ideologjisë nuk duhet kuptuar thjesht si një “lidhje”, por më tepër si një raport ku njëra e zë vendin e tjetrës, duke e plotësuar të njëjtin boshllëk. Mitin politik mund ta lexojmë si tregime në të cilat beson një komunitet i caktuar. Siç thekson Cassirer-i, mitet politike gjithmonë kanë një funksion teleologjik dhe janë mjete për legjitimimin e ideologjive të caktuara. Mitet politike janë narrativa të prodhuara nga pushteti politik për qëllime politike ose ideologjike. Mitet politike moderne, ndryshe nga mitet në periudhat paramoderne, nuk lindin në mënyrë të lirë: “ato nuk janë produkte të egra të një imagjinate të shfrenuar, por sende artificiale të prodhuara nga zejtarë shumë të zotë dhe të stërholluar.” Prodhimi i miteve politike është, pa dyshim, një produkt i vetëdijshëm i elitave politike, kulturore, shtetit modern dhe i konceptit të tij rregullator dhe disiplinues të pushtetit. Cassirer-i thotë se mitet politike moderne nuk nisin duke urdhëruar ose ndaluar veprime të caktuara. Qëllimi i tyre i vetëm është të ndryshojnë njerëzit, për t’i rregulluar dhe kontrolluar sjelljet e tyre. Në këto mite, synimi i pushtetit politik është të shndërrojë njerëzit në subjekte pasive duke i drejtuar ata drejt një rruge të caktuar. Ajo që duam të shprehim me konceptin e subjektit pasiv është gatishmëria për të besuar në narrativa të caktuara, pavarësisht nëse janë të vërteta apo jo.
Në epokën moderne, ndër mitet politike kryesore janë ato kombëtare. (Ri)prodhimi i miteve kombëtare është, sigurisht, në funksion të ndërtimit të kombit, identitetit kombëtar dhe shtetit-komb. Kështu, një nga mitet kryesore të nacionalizmit shqiptar, pa dyshim, është miti i Skënderbeut. Nëse e ndjekim kategorizimin e Anthony Smith-it, miti i Skënderbeut bën pjesë në mitet që shënojnë Epokën heroike ose të lavdishme të një kombi. Edhe pse përkufizimet e madhështisë dhe lavdisë ndryshojnë, çdo nacionalizëm ka nevojë për një pikë referimi të virtytit dhe heroizmit, për të udhëhequr dhe për t’i dhënë kuptim rilindjes kombëtare. E ardhmja e bashkësisë imagjinare mund të marrë kuptim dhe të fitojë formë vetëm nga ajo “epokë e artë” e paprekur, kur burrat ishin “heronj”. Heronjtë ofrojnë modele sjelljeje të virtytshme; aktet e tyre të guximshme frymëzojnë besim dhe kurajë te pasardhësit e shtypur dhe të degraduar. Skënderbeu kujtonte pikërisht një epokë të artë, heroike, ku shqiptarët, në krye me të, luftuan trimërisht dhe me plot guxim për mbrojtjen e kombit dhe të atdheut. “Për më tepër, mitet gjithmonë kanë një dimension pedagogjik dhe didaktik – në kuptimin që ato ofrojnë një model se si duhet formuar individi i sotshëm dhe i nesërm.” Në këtë kuptim, rilindësit, të cilët figurën e Skënderbeut e vunë në shërbim të ndërtimit të kombit, shqiptarëve u ofronin një model të një njeriu të guximshëm, një model të cilin duhet ta ndjekë çdo shqiptar. Studiuesi Enis Sulstarova argumenton se, në përfytyrimin e rilindësve, Skënderbeu ishte shprehja më e lartë e gjeniut shqiptar, i cili luftonte jo vetëm për lirinë e vendit të tij, por edhe për fitoren e së mirës mbi të keqen. Ky përfytyrim më së miri shpërfaqet në veprën Historia e Skënderbeut të Naim Frashërit, në të cilën ai gjerë e gjatë i përshkruan të bëmat heroike të Skënderbeut dhe në fund sugjeron se shqiptarët duhet të udhëhiqen nga figura e tij. Siç argumenton Sulstarova, Skënderbeu shqiptarëve ua kujtonte ekzistencën e një shteti mesjetar shqiptar, e përgënjeshtronte tezën e fqinjëve se shqiptarët nuk kanë traditë shtetformuese; me lartësimin e një princi të krishterë dëshmohej se shqiptarët u jepnin më shumë rëndësi lidhjeve etnike se atyre fetare; dhe, së fundmi, figura e tij e dallonte lëvizjen nacionaliste shqiptare nga lëvizjet panislamiste – kjo e fundit ishte antiteza e lëvizjes rilindëse.
Skënderbeu si mit i kontestuar në ndërgjegjen shqiptare
Ashtu si edhe në shumë çështje të tjera, kombet ose shoqëritë shpeshherë krijojnë ndasi edhe rreth miteve kombëtare. Këto ndasi, kryesisht mbi mitet kombëtare, paraqiten në shoqëri të tilla ku procesi i kombndërtimit ose nuk është përfunduar ose ai është imponuar dhunshëm nga ndonjë fuqi e jashtme. Problematizimi i miteve kombëtare dhe revizionizmi historik ndodhin pikërisht në shoqëri të tilla. Së këndejmi, figura e Skënderbeut, sado që nga rilindësit, më pas nga vetë pushteti i Zogut, nga enverizmi dhe, së fundi, nga elitat politike dhe kulturore pas rënies së komunizmit, u pa dhe u propagandua si figura qendrore kombëtare dhe unifikuese për gjithë shqiptarët, vështirë është të thuhet se ai sot është i pranueshëm për të gjithë si i tillë. Sigurisht, me figurën e tij janë identifikuar dhe ende identifikohen pjesa më e madhe e shqiptarëve, pavarësisht hapësirave ku jetojnë, por kjo nuk nënkupton se ai është një figurë e pakontestueshme dhe e pranueshme për të gjithë shqiptarët. Sot, shumë shqiptarë, kryesisht të komunitetit mysliman, nuk identifikohen me të dhe e kanë të vështirë ta pranojnë si hero kombëtar. Arsyet për këtë mund të jenë të ndryshme, por ato që spikasin më së shumti janë tri: së pari, figura e Skënderbeut, pikërisht për arsye ideologjike, nga vetë historiografia shqiptare dhe diskursi dominant publik, u identifikua kryesisht me Krishterimin – dhe kjo, për një mysliman shqiptar, duket se është shqetësuese. Ky identifikim me Krishterimin është ideologjik, për shkak se shërben për pozicionimin e shqiptarëve brenda pellgut qytetërimor dhe kulturor të Europës.
Së dyti, dhe për ta thënë hapur, komuniteti mysliman, i ndikuar nga koncepti i ummetit – një koncept që tejkalon kufijtë kombëtar – domosdoshmërisht përcakton një raport më të brishtë dhe më të zbehur karshi lidhjes me kombin.
Së treti, nuk është sekret se ekziston një propagandë e qëllimshme, e stimuluar nga jashtë dhe e përhapur nga qarqe të ndryshme të brendshme, e cila synon përçmimin, degradimin dhe zhvleftësimin e gjithçkaje që është kombëtare. Sot nuk është vështirë të hasësh në hapësirën publike e private, veçmas në hapësirat e rrjeteve sociale, ku figura e Skënderbeut shahet, ofendohet dhe demonizohet.
Nëse një pjesë e grupit që imagjinohet si komb refuzon disa prej elementeve përbërëse të këtij kombi, atëherë kjo situatë hap një dilemë tejet të madhe: a kanë arritur shqiptarët ta krijojnë realisht kombin e tyre? Sepse, siç dihet, kombi – në thelb – është një entitet totalizues, që nuk i “duron” divergjencat, të paktën jo kur bëhet fjalë për vlerat fondamentale dhe synimet themelore që e përbëjnë atë. Parë nga ky këndvështrim, shqiptarët jo vetëm në lidhje me figurën e Skënderbeut, por edhe për shumë çështje të tjera, kanë krijuar divergjenca të thella. Kjo realisht e vë në pikëpyetje faktin se a ekziston sot një komb shqiptar në Ballkan në kuptimin modern të fjalës. Dhe, ne, si shqiptarë, sado që përpiqemi t’i fshehim këto ndasi në emër të një hipokrizie ose, në rastin më të mirë, në emër të shpresës se “një ditë do të bëhemi”, nuk është e rastësishme që sot vazhdojmë të ëndërrojmë për “Shqipëri” të ndryshme. Sot, në vetëdijen e shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ekzistojnë – de facto – tre “Shqipëri” të ndryshme.
Pikërisht duke pasur parasysh këtë realitet, dekonstruktimi apo çmitizimi i figurës së Skënderbeut rrezikon që solidariteti mes shqiptarëve, në mos të zhbëhet, të zbehet edhe më tej. Nuk ka rëndësi nëse mitet janë të vërteta ose jo; me rëndësi është mesazhi që ato përcjellin dhe funksioni që luajnë në krijimin e kombit, madje jo vetëm në krijimin, por edhe në ruajtjen e vazhdimësisë së tij në kohë dhe hapësirë. Një arsye tjetër lidhet me rrethanat politike në Ballkan, por jo vetëm. Në një kontekst të tillë ballkanik, ku nacionalizmi ende përbën ideologjinë dominuese, ku shtete të caktuara, siç është Serbia, ende nuk janë pajtuar me faktin e pavarësisë së Kosovës, madje që ende ruajnë synime irredentiste, çmitizimi dhe shpërfytyrimi i figurës së Skënderbeut nënkupton dobësim të unitetit mbarëkombëtar dhe, rrjedhimisht, të ndikimit shqiptar në Ballkan. Së treti, në një kontekst të tillë ku shqiptarët janë të orientuar drejt Europës dhe Perëndimit ose, thënë ndryshe, në një kontekst ku interesi strategjik është integrimi në Bashkimin Europian, figura e Skënderbeut shërben si pikë identifikimi me Europën. Jo vetëm kaq: përballë lëvizjeve të shumta globaliste dhe universaliste duhet pranuar fakti se nacionalizmi, përkundër asaj që ishte parashikuar, ende ruan ndikimin e tij në mobilizimin e masave dhe, për pasojë, në përcaktimin e politikave të brendshme dhe të jashtme të shteteve.
Nga ana tjetër, duke e kundruar këtë problematikë nga një perspektivë (post)moderne, insistimi në ruajtjen e mitit të Skënderbeut mund të duket si anakronik. Por, duhet thënë që dekonstruktimi i miteve në emër të së vërtetës “objektive” historike, ndoshta mund të ndodhë në shoqëri që kanë arritur një “kontratë shoqërore” për vlerat themelore. Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur me shqiptarët, të cilët, të ndarë në disa shtete – por jo vetëm për këtë arsye – nuk kanë arritur një konsensus të përbashkët për shumë çështje, përfshirë edhe për tema dhe problematika ekzistenciale.