Chelsea e zyrtarizon trajnerin e ri

Liam Rosenior është trajner i ri i Chelseat. Klubi londinez e zyrtarizoi Roseniorin të martën paradite.
Anglezi ka firmosur kontratë me Chelsean të vlefshme deri në vitin 2032. Ai deri më tani ishte trajner te Strasbourgu në Francë. E udhëhoqi skuadrën drejt kualifikimit të parë evropian në 19 vjetët e fundit. Më herët Rosenior ka punuar te Hull City dhe Derby County.
“Jam jashtëzakonisht mirënjohës dhe i nderuar që emërohem kryetrajner i Chelseat. Është klub me shpirt unik dhe me histori të pasur të fitimit të trofeve. Puna ime është të mbroj këtë identitet dhe të krijoj ekip që reflekton këto vlera në çdo ndeshje. Besimi i kësaj detyre do të thotë e gjithë bota për mua dhe dua të falënderoj të gjithë të përfshirët për mundësinë. Do të jap çdo gjë për të sjell suksesin që klubi e meriton”, ka thënë Rosenior.
Liam Rosenior ka treguar se mund të ndërtojë ekip me mënyrë të qartë të lojës, ndërsa ka vendosur standard të lartë deri më tani. Derisa Chelsea do të vazhdojë të jetë i fokusuar në zhvillimin e lojtarëve, ambiciet e klubit për sukses mbesin të mëdha.
Rosenior është 41-vjeçar, ndërsa e zëvendëson Enzo Marescan që u largua javën e kaluar. Maresca e udhëhoqi skuadrën drejt titullit në Kupën e Botës për Klube.
Rosenior ka udhëhequr Strasbourgun që nga korriku i vitit 2024. Chelsea dhe Strasbourgu kanë pronarë të njëjtë.
Karrierën si trajner, Rosenior e nisi në moshën 34-vjeçare. E kaloi nëj edicion tek ekipi U23 i Brightonit, ndërsa më pas iu bashkua shtabit teknik të Derby Countyt. Te Derby ishte edhe trajner i përkohshëm, ndërsa nga viti 2022 deri në vitin 2024 e drejtoi Hull Cityn.
Puna e tij e deritashmë është vlerësuar shumë, ndërsa për herë të parë anglezi do të sfidohet në një klub të nivelit më të lartë evropian.
Chelsea është i pesti në Premier League me 31 pikë nga 20 ndeshje. Ndeshjen e ardhshme e luan ndaj Fulhamit, të mërkurën mbrëma. Në fundjavë Chelsea luan në Kupën FA ndaj Charltonit.



