Çfarë dimë për Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza

Krijimi i një Force Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) për territorin palestinez të shkatërruar nga lufta është parashikuar në marrëveshjen e armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA.
Ndërsa disa shtete kanë shprehur interes për të kontribuar në ISF, ende mbeten të paqarta disa detaje thelbësore — përfshirë nëse forca do të veprojë nën mandat të OKB-së, cilat do të jenë përgjegjësitë e saj dhe cilat vende do të dërgojnë trupa në terren.
Të mërkurën, Shtetet e Bashkuara shpërndanë një draft-rezolutë të OKB-së për 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit dhe njoftuan se kanë mbështetjen e Egjiptit, Katarit, Arabisë Saudite, Turqisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ja çfarë thuhet në draft-rezolutën, të cilën e ka parë Al Jazeera:
-
ISF do të mund të “përdorë të gjitha mjetet e nevojshme” për të përmbushur mandatin e saj të sigurisë.
-
Do të ketë autorizimin për të mbrojtur civilët dhe operacionet humanitare, të sigurojë zonat kufitare me Izraelin dhe Egjiptin, dhe të ndihmojë “forcat e reja të policisë palestineze, të trajnuara dhe të verifikuara”.
-
Do të ketë për detyrë të stabilizojë Gazën duke “siguruar procesin e çmilitarizimit të Rripit të Gazës, përfshirë shkatërrimin dhe ndalimin e rindërtimit të infrastrukturës ushtarake, terroriste dhe ofensive, si dhe çarmatosjen e përhershme të grupeve të armatosura joshtetërore”.
Një zyrtar amerikan, që nuk u identifikua, i tha agjencisë Reuters se draft-rezoluta i jep ISF-së autoritet për të çarmatosur Hamasin, por SHBA pret që grupi palestinez të “përmbushë pjesën e vet të marrëveshjes” dhe të dorëzojë armët. /Al Jazeera/



