Çështja e sovranitetit pas ndërhyrjes amerikane në Venezuelë dhe perceptimet politike në Shqipëri

Politika ndërkombëtare po hyn në një fazë ku sovraniteti nuk zhduket, por rikonfigurohet sipas kritereve të hegjemonisë rajonale. Ai mbetet i pacënueshëm për disa aktorë, i brishtë për të tjerë, por gjithnjë pjesë e negociatave me fuqinë hegjemone. Andaj sulmi i SHBA-së në Venezuelë nuk është një devijim i rastësishëm, por një sinjal i qartë i një transformimi më të thellë në politikën globale. Ai shënon kalimin nga epoka e ndërhyrjeve të justifikuara me misione liberale drejt një rendi ku realpolitika dhe interesi strategjik janë bërë sërish parimi dominues.
Lulzim HOXHA, Tiranë
Sulmi ushtarak i Shteteve të Bashkuara ndaj Venezuelës, më 3 janar, dhe kapja (rrëmbimi) e presidentit Nicolás Maduro përbëjnë një moment kthese në politikën ndërkombëtare, i cili na vendos përballë çështjeve themelore mbi natyrën, kuptimin dhe qëndrueshmërinë e nocionit të sovranitetit në botën e sotme. Operacioni i realizuar nga forcat amerikane përfshiu goditje të koordinuara në territorin venezuelian dhe arrestimin e Maduros mbi bazën e akuzave të ngritura nga gjykatat federale amerikane, si dhe deklarime të qarta nga Uashingtoni mbi synimin për të ndikuar drejtpërdrejt në qeverisjen e Venezuelës dhe mbi kontrollin e pasurive të saj të mëdha energjetike. Ky përdorim i drejtpërdrejtë i forcës kundër një shteti sovran të Amerikës Latine u dënua gjerësisht nga qeveri (kryesisht aleate të Rusisë dhe Kinës) dhe nga organizata të ndryshme në mbrojtje të të drejtave të njeriut (kryesisht në SHBA dhe Europën Perëndimore) si shkelje e parimeve themelore të sovranitetit dhe mosndërhyrjes.
Sovraniteti, i kuptuar tradicionalisht si autoriteti suprem i shtetit mbi territorin e vet dhe pavarësia nga ndërhyrjet e jashtme, përbën një nga shtyllat qendrore të rendit modern ndërkombëtar të konsoliduar pas Paqes së Vestfalisë (1648) dhe të riafirmuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara më 1945. Neni 2/4 i Kartës së OKB-së e ndalon përdorimin e forcës kundër integritetit territorial dhe pavarësisë politike të çdo shteti, përveç rasteve të vetëmbrojtjes ose autorizimit nga Këshilli i Sigurimit. Rasti i Venezuelës e vendos drejtpërdrejt në pikëpyetje këtë arkitekturë normative. Administrata amerikane e legjitimoi ndërhyrjen, duke e paraqitur atë si operacion të zbatimit të drejtësisë ndërkombëtare kundër një individi të akuzuar për narkoterrorizëm, duke shmangur terminologjinë klasike të luftës. Megjithatë, për shumicën e ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare dhe aktorëve të tjerë politikë ndërkombëtarë, përdorimi unilateral i forcës ushtarake në territorin e shtetit pritës, kundër vullnetit të këtij të fundit dhe pa mandat të OKB-së përbën një precedent të rrezikshëm dhe një shkelje të qartë të parimit të sovranitetit. Mirëpo, në aspektin politik, kjo ngjarje evidenton tensionin thelbësor të politikës globale bashkëkohore: përplasjen midis angazhimit normativ për mbrojtjen e sovranitetit dhe realitetit praktik të politikës së fuqisë, ku shtetet hegjemone veprojnë mbi bazën e interesave strategjike, shpesh duke anashkaluar normat juridike ose të drejtat sovrane të një shteti tjetër. Sovraniteti gjithnjë e më shumë nuk trajtohet si një e drejtë absolute dhe universale, por si një status politikisht i kushtëzuar, i cili respektohet vetëm atëherë kur përkon me interesat e fuqive të mëdha.
Ndërhyrja në Venezuelë shënon, në këtë kuptim, fundin e epokës së ndërhyrjeve liberale të shtetit amerikan me karakter normativ dhe rikthimin e hapur të realpolitikës në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në vitet ’90-të dhe në fillim të viteve 2000, fuqitë perëndimore, veçanërisht SHBA-ja, e legjitimonin përdorimin e forcës përmes diskursit të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe të përgjegjësisë për t’i mbrojtur popullsitë vendase nga rreziku i gjenocidit ose ndaj një regjimi tiranik. Sot, këto justifikime janë zbehur ndjeshëm. Rasti i Venezuelës nuk fshihet pas një narrative universale me sfond moral; ai lidhet drejtpërdrejt me interesat gjeostrategjike, me pozicionin e vendit në hemisferën perëndimore dhe, mbi të gjitha, me kontrollin mbi burimet e energjisë. Në këtë mënyrë, sovraniteti nuk është zhdukur, por është shndërruar në një koncept të negociueshëm, i tejkalueshëm kur bie ndesh me nevojat strategjike të aktorëve më të fuqishëm, por të pamohueshëm kur bëhet fjalë për aleatët strategjikë të SHBA-së.
Nga ndërhyrjet liberale te realpolitika: pse rasti i Venezuelës është më i ngjashëm me Panamanë sesa me Irakun apo Afganistanin?
Për ta kuptuar natyrën e ndërhyrjes së shtetit amerikan në Venezuelë, do të kishte më tepër ngjashmëri krahasimi me pushtimin amerikan të Panamasë dhe rrëzimin e Noriegas sesa ndërhyrjet e shekullit XXI në Irak ose Afganistan. Ndërhyrjet në Irak dhe Afganistan u justifikuan, të paktën në nivel diskursiv, përmes një projekti ideologjik global: lufta kundër terrorizmit, përhapja e demokracisë liberale dhe rindërtimi i shteteve. Ato u shoqëruan me narrativa mbi transformimin shoqëror dhe institucional të vendeve përkatëse për të eksportuar vlerat perëndimore të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Në kontrast me këto fushata ushtarake, ndërhyrja amerikane në Panama, në fundin e vitit 1989, u justifikua nga presidenti i asokohe, George Bush, për arsye të kontrollit mbi kanalin e Panamasë, teksa Noriega u arrestua saktësisht më 3 janar (1990) dhe u dënua për trafik droge dhe larje parash. Sikurse në rastin e ndërhyrjes në Venezuelë, diskursi politik i presidentit të SHBA-së përfshinte akuzat ndaj Noriegas për manipulimin e zgjedhjeve të vitit 1989 dhe konsolidimin e regjimit autokratik. Gjithashtu, njësoj si në Venezuelë, edhe në Panama, trupat amerikane realizuan një operacion të shpejtë, ku diktatori Manuel Noriega u mor me helikopter dhe u dërgua menjëherë në Shtetet e Bashkuara për t’iu përgjigjur krimeve. Po ashtu, njësoj si në rastin e Maduros, me kapjen (rrëmbimin) e Noriegës ishte një sinjal i qartë kundër liderëve autokratikë, qeverisja e të cilëve u kundërvihej interesave të shtetit amerikan. Edhe në rastin e ndërhyrjes në Panama, SHBA-ja veproi në emër të sigurisë rajonale, të luftës kundër narkotikëve dhe të mbrojtjes së interesave strategjike, duke e trajtuar sovranitetin e Panamasë si element të dorës së dytë përballë nevojave të veta gjeopolitike.
Në të dyja rastet, sovraniteti i nënshtrohet një logjike hierarkike: shtetet më pak të fuqishme në hemisferën perëndimore nuk trajtohen si aktorë plotësisht të barabartë, por si pjesë e një rendi rajonal të dominuar nga SHBA-ja. Ndërhyrja në Venezuelë, ashtu si ajo në Panama, përfaqëson një rikthim të heshtur, por të qartë, të doktrinës së Monroe-s, ku stabiliteti dhe orientimi politik i rajonit konsiderohen çështje të interesit jetik amerikan.
Strategjia e Trump për rritjen e ndikimit të SHBA në Amerikën Latine
Vitin e kaluar, Trump-i i riktheu në diskursin publik parimet e njohura të “doktrinës Monroe”, të emërtuara sipas Presidentit James Monroe (1817-1825), i pari që më 1823, e kishte caktuar Amerikën Latine si një sferë ndikimi dhe të rezervuar strategjik për vendin e tij, duke përjashtuar çdo kolonizim ose ndërhyrje të re të rivalëve të SHBA-së. Pothuaj një shekull më vonë, më 1904, Presidenti Theodore Roosevelt e përsosi më tej këtë qasje ndaj Amerikës Latine, duke argumentuar se “në hemisferën perëndimore, zbatimi i doktrinës Monroe nga Shtetet e Bashkuara mund t’i detyrojë këto vende, në raste flagrante të veprimeve të dënueshme, të ushtrojë një pushtet policor ndërkombëtar në rajon”. Ky qëndrim u quajt më vonë “Korolari Roosevelt” dhe mund të konsiderohet si pararendësi i asaj që sot njihet si “Korolari Trump”. Në ditët tona, për Shtëpinë e Bardhë, rivaliteti me Kinën e ka zëvendësuar atë me vendet e Europës Perëndimore të kohës së Theodore Roosevelt, teksa shtetet latinoamerikane, dikur “komuniste”, tashmë “narkoterroriste” konsiderohen përgjegjëse për “rastet flagrante të veprimeve të dënueshme” dhe përfshirjen amerikane në formën e një shteti policor në rajon. Sipas të ashtuquajturit “Korolari Trump”, të artikuluar nga vetë presidenti amerikan në fund të vitit të kaluar, qëllimi është “rivendosja e epërsisë amerikane në hemisferën perëndimore dhe mbrojtja e territorit tonë kombëtar përmes qasjes në zonat kyçe gjeografike në gjithë rajonin”. Në këtë dokument gjithashtu theksohet se “ne do t’i ndalojmë konkurrentët tanë jashtë hemisferës të pozicionojnë forca ose kapacitete të tjera kërcënuese, të zotërojnë ose kontrollojnë asete strategjikisht jetësore për hemisferën tonë.”
Për t’iu kundërvënë rritjes së pranisë së Kinës në Hemisferën Perëndimore, presidenti amerikan promovon një “diplomaci të re tregtare” ndaj vendeve të nënkontinentit latinoamerikan. Atyre u kërkohet të veprojnë në shërbim të orientimeve të Uashingtonit, brenda vendit të tyre, si dhe në politikën e jashtme. Meqë Amerika Latine përmban shumë burime strategjike të nevojshme për Shtetet e Bashkuara (hidrokarbure, lëndë të para, produkte bujqësore dhe hapësira gjeostrategjike), këto shtete mund të kontribuojnë në “forcimin e zinxhirëve kritikë të furnizimit në këtë hemisferë, që do t’i ulë varësitë dhe do ta rrisë qëndrueshmërinë ekonomike amerikane”. Dokumenti i Strategjisë për Sigurinë Kombëtare (NSS) i fton shtetet e rajonit t’i kthejnë Shtetet e Bashkuara në partnerin e tyre parësor në shkëmbimet tregtare. Ato qeveri, që do të jenë besnike ndaj Shteteve të Bashkuara, do të shpërblehen, siç ndodhi në rastin e Hondurasit, kur gjatë periudhës së zgjedhjeve Trump-i deklaronte se nëse kandidati Nasry “Tito” Asfura do t’i fitonte zgjedhjet, SHBA-ja do t’ia jepte Hondurasit të gjithë mbështetjen e duhur financiare, por nëse nuk i fitonte ato, “Shtetet e Bashkuara nuk do t’i shpërdorojë paratë e amerikanëve për një udhëheqës që do t’i sillte vetëm rezultate katastrofike vendit”. Kësisoj, ato vende të Amerikës Latine që e kundërshtojnë rritjen e ndikimit të SHBA-së, do të tërhiqen drejt bashkëpunimit nëpërmjet mjeteve të ndryshme, qoftë përmes ndërhyrjes së drejtpërdrejtë, si në Venezuelë, ashtu edhe nëpërmjet presioneve dhe paralajmërimeve të vazhdueshme të Trump-it ndaj qeverive së Kolumbisë, Kubës dhe Meksikës. Në Amerikën Latine, Uashingtoni mund të mbështetet tashmë në shumë shtete besnike, madje edhe ndër ato ku Kina është partneri kryesor ose dytësor në tregtinë e jashtme. Aktualisht, Argjentina, Bolivia, Kili (me presidentin José Antonio Kast, që është i njohur për admirimin e tij ndaj Pinoçetit), Kosta Rika, El Salvadori, Ekuadori, Hondurasi, Guatemala, Guajana, Panamaja, Paraguai dhe Republika Domenikane qeverisen nga udhëheqës konservatorë nën vasalitetin politik të Shteteve të Bashkuara. Paçka se shumica e këtyre vendeve pas rënies së diktaturave në vitet ’90-të janë qeverisur kryesisht nga parti të majta që kanë mbrojtur shtetëzimin e sektorëve të industrisë, pas krizës ekonomike të vitit 2008, korrupsioni masiv, rritja e kriminalitetit dhe kolapsi ekonomik sollën rritjen e ndikimit amerikan dhe varësinë e tyre nga Uashingtoni.
Kësisoj politika ndërkombëtare po hyn në një fazë ku sovraniteti nuk zhduket, por rikonfigurohet sipas kritereve të hegjemonisë rajonale. Ai mbetet i pacënueshëm për disa aktorë, i brishtë për të tjerë, por gjithnjë pjesë e negociatave me fuqinë hegjemone. Andaj sulmi i SHBA-së në Venezuelë nuk është një devijim i rastësishëm, por një sinjal i qartë i një transformimi më të thellë në politikën globale. Ai shënon kalimin nga epoka e ndërhyrjeve të justifikuara me misione liberale drejt një rendi ku realpolitika dhe interesi strategjik janë bërë sërish parimi dominues. Nën një kontekst ku politika e brendshme shihet si pazgjidhshmërisht e lidhur me politikën e jashtme, sovraniteti është kthyer në një fushë të marrëdhënieve ndërshtetërore, ku përplasen normat ndërkombëtare me fuqinë dhe interesat kombëtare – dhe ku dominon shteti që ka fuqinë për të legjitimuar, imponuar, por edhe garantuar, funksionimin e rregullave të lojës.
Perspektiva shqiptare dhe keqkuptimi mbi ndërhyrjet e jashtme amerikane
Në diskursin publik shqiptar, rrëzimi i Maduro-s ka nxitur spekulime dhe, në disa raste, shpresën se një skenar i ngjashëm mund të aplikohej ndaj liderëve politikë në Shqipëri. Në këtë mënyrë, vendi ynë do ta çrrënjoste autokracinë dhe do ta përmbyste klasën politike që e ka dominuar politikën shqiptare përgjatë trembëdhjetë viteve të fundit. Sipas kësaj perspektive, të mbështetur nga disa parti të opozitës, meqenëse qeveria në pushtet ka kapur çdo institucion dhe ka një përkrahje masive nga kartelet e drogës dhe paratë që vijnë nga aktiviteti i bandave kriminale, i vetmi shpëtim për popullin shqiptar do të ishte ndërhyrja e SHBA-së dhe vendosjen përpara drejtësisë të Ramës dhe ministrave të tjerë të kabinetit qeveritar. Mirëpo, historia e ndërhyrjeve amerikane për t’i zëvendësuar liderë politikë në shtete të tjera na ka treguar se edhe pas rrëzimit nga pushteti të një qeverie autokratike, forcat e reja politike që do të qeverisnin vendin me mbështetjen e SHBA-së sollën instalimin e një diktature të re, sikurse ka ndodhur në Kili me Pinoçetin ose në Brazil dhe Argjentinë gjatë juntave ushtarake që e morën pushtetin me ndihmën amerikane gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë. Prandaj argumenti i forcave opozitare në Shqipëri që synon ta paraqesë rolin e SHBA si shpëtimtarin e popujve nga tirania, në fakt vetëm sa na tregon për mungesën e alternativave politike të një pjese të partive të opozitës në Shqipëri.
Ndërhyrja nga jashtë merr formën e një “shkopi magjik” vetëm kur partitë politike janë të vetëdijshme se nuk e kanë mbështetjen e mjaftueshme elektorale për ta rrëzuar qeverinë përmes votës. Nga ana tjetër, sikurse na tregojnë shumë raste të shekullit të kaluar, duke qenë se forcat politike që kanë ardhur në pushtet jo me votë, por me ndihmën e një shteti tjetër, me marrjen e pushtetit e kanë pasur shumë më të lehtë të qeverisin pa legjitimitetin që vjen nga vota e qytetarëve. Nëse regjimi autokratik që vepron brenda rregullave të demokracisë ka një ndikim të rrezikshëm në uljen e rëndësisë së votës, përmbysja e qeverisë nga një shtet tjetër mund ta zhbëjë përfundimisht domethënien demokratike të votës si burim legjitimiteti dhe të krijojë një precedent të dëmshëm në lidhje me përfshirjen e shtresave të shoqërisë në vendimmarrje. Pavarësisht se sa legjitime është qeveria aktuale në përfaqësimin e interesave të shqiptarëve dhe përpos faktit se një pjesë e madhe e eksponentëve të mazhorancës janë të dënuar ose janë nën hetim për korrupsion dhe shpërdorim detyre, arrestimi hipotetik i liderit të qeverisë nga një shtet tjetër vetëm sa do t’i thellonte problemet e vendit tonë me demokracinë si ritual legjitimiteti. Në një vend ku legjitimiteti i qeverisjes nuk buron nga populli, por nga përkrahja e Shteteve të Bashkuara, nuk do të kishte kuptim që opozita të përpiqej të formulonte një alternativë politike me synim marrjen e pushtetit, pasi do të mjaftonte ta kishte bekimin e “mikut të shqiptarëve”. Në fakt, edhe vetë ekzaltimi i Ramës pas ftesës së marrë nga Trump-i për në Bordin e Paqes, na tregon më shumë për impaktin që ka për qeverinë aktuale bekimi i SHBA-së në këtë moment tejet delikat sesa për “miqësinë” me SHBA-në, sidomos nëse kemi parasysh se në këtë organizatë të re u ftuan edhe liderë politikë, jo dhe aq “miqësorë” ndaj “mikut” tonë të madh si Putin ose Lukashenko. Problemet e qeverisjes në një demokraci parlamentare zgjidhen përmes mekanizmave të brendshëm institucionalë dhe organizimit të grupeve opozitare, e jo përmes ndërhyrjeve të jashtme ose bekimit të “mikut të shqiptarëve”. Shpresa për “ndërhyrje shpëtuese” nga jashtë reflekton një keqkuptim të thellë të funksionimit të politikës ndërkombëtare dhe të vetë konceptit të sovranitetit në shekullin XXI, por mbi të gjitha ajo pasqyron mungesën e alternativave politike në një shoqëri ku më shumë besueshmëri ka te fuqitë e mëdha sesa te partitë politike brenda vendit dhe ku “miku” i gjithëpushtetshëm ofron më tepër konfirmim sesa dinamikat e aleancave strategjike të një rendi ndërkombëtar në ndryshim.



