Ç’është e ç’do të bëhet shqiptaria?
Si e mendonte Samiu Shqipërinë? Në pjesën e tretë të manifestit politik Shqipëria Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet, Samiu përfytyron një shtet shqiptar në të cilin do të përfshihen të gjithë shqiptarët. Ideali kryesor i Samiut është një Shqipëri, kufijtë politikë të së cilës do të përputhen me kufijtë etnikë. Më pas, ai Shqipërinë e përfytyron si një shtet, regjimi i së cilës do të jetë republika dhe mënyra e qeverisjes demokracia.
Murat ALIU, Prilep
Sami Frashëri dhe shqiptaria
Le të jemi të sinqertë me veten tonë dhe me të tjerët dhe të pranojmë që figurat historike të sojit të Sami Frashërit i kemi pak. I kemi pak, sepse ishim dhe akoma jemi një popull i vonuar. Një popull johistorik. Por, megjithatë, nëse gjykojmë me termat eurocentrik të Hegelit, populli shqiptar, të paktën pas shekullit nëntëmbëdhjetë, kështu apo ashtu arriti të bëhet pjesë e historisë moderne, pavarësisht edhe nëse dikush tjetër na e shkruoi atë. Në mendimin filozofik dhe politik modern të qenit pjesë e historisë ose jo matej me aftësinë e një populli për të artikuluar idenë kombëtare dhe për të krijuar shtetin e pavarur kombëtar. Dhe, pikërisht në këtë pikë Sami Frashëri është njëra ndër figurat më madhështore të popullit/kombit shqiptar. Samiu ishte pjesë e atij grupi të paktë intelektualësh të Perandorisë Osmane, të cilët e kishin kuptuar frymën e kohës ose zeitgeistin. Samiu dhe një grup i vogël dijetarësh osmanë, aty pas gjysmës së dytë të shekullit nëntëmbëdhjetë, filluan ta kuptojnë se dielli i perandorive së shpejti do të perëndonte dhe se për popujt e Perandorisë Osmane po lindte një epokë e re, ajo e formimit të kombeve dhe e nacionalizmit; epokë kjo e cila në Europën Perëndimore dhe për një pjesë e popujve ballkanik kishte filluar më herët.
Nëse pinjollët dhe ideologët të nacionalizmit serb ishin figura si Jovan Rajiq, Dimitrije Obradoviq dhe Vuk Karaxhiq; të atij grek Rigas Feraios dhe Adamantios Korais; të atij bullgar Paissii Hilendarski; të atij turk Yusuf Akçura dhe Ziya Gökalp, pa dyshim që njëri ndër ideologët e nacionalizmit shqiptar është Sami Frashëri, i cili në vitin 1899 e shkroi manifestin e idesë kombëtare shqiptare, Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet. Për mendimin e shumë studiuesve shqiptarë e të huaj, kjo vepër paraqet tekstin më të artikuluar të nacionalizmit shqiptar në periudhën e Rilindjes Kombëtare. Për më tepër, kjo vepër, duke ruajtur vlefshmërinë e saj, paraqet një udhërrëfyes për shqiptarizmën edhe në kohën e sotme.
Pikërisht në këtë pikë shpërfaqet edhe madhështia e Sami Frashërit dhe rilindësve të tjerë. Sot në botë ekzistojnë më qindra ose mijëra grupe etnike, por një numër shumë i kufizuar kanë arritur ta artikulojnë idenë kombëtare dhe të formojnë shtetin e tyre kombëtar. Sot, Shqipëria, Kosova dhe “shqiptaria” ekziston në saje të një grushti njerëzisht të përndritur shqiptarë, në mesin e të cilëve pa dyshim ishte edhe Samiu, të cilët arritën që këtë masë njerëzish, që sot quhen shqiptarë, t’i emërtojnë si të tillë dhe arritën t’ua ngulisin vetëdijen historike. Ndërkaq, ideja kombëtare dhe nacionalizmi shqiptar, i përfytyruar nga rilindësit dhe Sami Frashëri, kulmoi me krijimin e shtetit të parë shqiptar në vitin 1912, kjo pasi çdo lëvizje ose ideologji kombëtare ka për qëllim final formimin e shtetit (kombëtar). Ky ideal madhor ka të bëjë me faktin e, siç thotë Hegeli, “njeriu vetëm përmes shtetit arrin të shndërrohet në qenie racionale. Njeriu ia detyron të gjithë qenien e tij shtetit: thelbi i tij qëndron vetëm aty. Njeriu ka gjithë vlerën që ka, gjithë realitetin e tij shpirtëror, falë shtetit.”
Ideja e Qytetërimit në mendimin e Sami Frashërit
“Qytetërimit” është një nocion kompleks, i vështirë për t’u përkufizuar saktë dhe, si i tillë, është një nocion që u është nënshtruar interpretimeve dhe kritikave të ndryshme. Përpara se të formohej dhe përdorej koncepti i “civilizimit”, koncepte të tilla, si “Politesse” (i mirëkuptuar, i denjë, i sjellshëm) ose “civilite” (mirësjellje), kishin pothuajse të njëjtin kuptim si “civilizimi”. Si një nocion eurocentrik, qytetërimi përbën kundrinën ose negacionin e barbares, primitives dhe egërsisë. Përkundër këtyre epiteteve, qytetërimi identifikohet me të bukurën, rendin, organizimin, të sjellshmen etj.
Ideja e progresit ose “progresi” (Fortschritt) ishte nocioni i cili ndikoi fuqishëm në formësimin e Europës moderne. Përgjatë shekujve shtatëmbëdhjetë dhe tetëmbëdhjetë, në fushën e shkencave natyrore u shënua një zhvillim i madh dhe shpikjet tekniko-teknologjike imponuan besimin e palëkundur në idenë se bota është në progres të vazhdueshëm. Iluministët dhe mendimtarët europianë besuan me gjithë zemër se shoqëria po përparon po aq sa natyra. Ideja se njeriu është mjeshtri i natyrës, ashtu si ideologjia e progresit, është produkt i përpjekjes së njeriut për ta pozicionuar veten në botë. Nocioni qytetërim u përdor për t’i shënuar arritjet e gjithanshme dhe progresin e shoqërive europiane. Siç thotë Rene Guenon, “qytetërimi është një dhuratë që Europa ia fali vetës”. Shumica e intelektualëve osmanë ishin të një mendimi se qytetërimi është rezultat i zhvillimit teknologjik dhe shkencor. Kësisoj, një nga konceptet më themelore të mendimit osman të shekullit nëntëmbëdhjetë ishte përparimi. Thënë ndryshe, nocionet si përparimi, modernizmi, qytetërimi etj., përbënin boshtin, rreth të cilit vërtitej ideja e modernizimit osman. Pothuajse pa asnjë përjashtim, e gjithë inteligjencia osmane, e cila kryesisht ishte arsimuar në vendet ruropiane, e shihnin qytetërimin si sinonim të Europës.
Mënyra se si Sami Frashëri, por edhe të gjithë rilindësit shqiptarë, e kuptonin nocionin e qytetërimit ishte plotësisht konform frymës së kohës që mbisundonte në Europë dhe në mesin e elitave kulturore dhe intelektuale brenda perandorisë. Pra, ishte fryma e iluminizmit dhe modernitetit ajo që e përcaktoi mendimin e përgjithshëm të Samiut, e në veçanti pikëpamjet e tij rreth qytetërimit. Dhe, s’duket aspak e vështirë ta kuptojmë që Samiu këtij nocioni i atribuonte kuptime të njëjta me ato të europianëve. Kështu, për Samiun qytetërimi ishte sinonim i progresit, zhvillimit material e shpirtëror, i teknologjisë etj. Ai ishte antitezë e barbarisë dhe egërsisë. Në veprën e sipërpërmendur ai u drejtohet shqiptarëve: “O vëllezër shqiptarë! Të mos na gjejnë si ata t’egërtit e Avstralis’ e t’Afrikës, që ven’ evropjanët’ e i gënjejnë me ca rruaza e ma ca dragole të qeltërta e pasqyra të pafillta e u marrinë vëndet e tyre nga dora”. Ndërlidhjen e qytetërimit europian dhe të shqiptarëve, Samiu përpiqej ta bënte duke theksuar faktin që shqiptarët, si pasardhës të pellazgëve dhe ilirëve, janë njëri ndër popujt më të lashtë të Europës. Për Samiun, pellazgët ishin një racë ariane, të cilët emigruan në Europë dhe të parët sollën qytetërimin në këto hapësira. Edhe pse Sami Frashëri shkruante se ilirëve, si fise që i përkisnin racës pellazge, u “mungonte dituria e qytetërimi dhe kishin prirje për vjedhje e korsari”, ai këtë fakt e pa si diçka pozitive, sepse ky izolim nga rrjedhat e qytetërimit ndikoi që ata ta ruajnë pastërtinë racore dhe gjenetike.
Është e qartë që në përfytyrimin e Samiut qytetërimi ishte vetë Europa dhe barbaria gjithë pjesa tjetër e botës. Duke qenë kështu, ai u bën thirrje shqiptarëve që në të ardhmen të shndërrohen në “europianë” dhe “të qytetëruar”, sepse vetëm ashtu do të arrinin ta ruajnë Shqipërinë dhe vetëm ashtu do ta arrinin nivelin e të qenit një komb përparimtar. Që Samiu ishte një intelektual, i cili në mendimin e tij kishte mëshiruar idetë iluministe dhe moderniste, duket pothuajse në të gjitha veprat e tij, e veçmas në pjesën e tretë të librit Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet, në të cilën ai në mënyrë të idealizuar e imagjinon krijimin e një shteti shqiptar, duke vendosur në qendër organizimin racional.
Po si i kemi hallet sot?
Këto lloje pyetjesh shpeshherë presupozojnë një qasje komparative, në kuptimin që përgjigja e kësaj pyetjeje është e lidhur me një pikë reference të caktuar. Komparacioni i parë që të gjithëve u vjen ndër mend sigurisht është krahasimi i situatës së gjithanshme në periudhën e parë të shekullit njëzet dhe gjendjen e sotshme të shqiptarëve. Nëse marrim për bazë një krahasim të tillë, sigurisht që gjërat kanë ndryshuar dhe shqiptarët kanë shënuar suksese të ndryshme në të gjitha aspektet shoqërore. Por, nëse bëjmë krahasim me të arriturat e deritanishme në plan kombëtar me idealet e rilindësve dhe Samiut kundrejt çështjes kombëtare, atëherë duket që shqiptarët përgjatë këtyre njëqind vjetëve shprehën një paaftësi relativisht të madhe për t’i jetësuar këto ideale.
Si e mendonte Samiu Shqipërinë? Në pjesën e tretë të manifestit politik Shqipëria Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet, Samiu përfytyron një shtet shqiptar në të cilin do të përfshihen të gjithë shqiptarët. Ideali kryesor i Samiut është një Shqipëri, kufijtë politikë të së cilës do të përputhen me kufijtë etnikë. Më pas, ai Shqipërinë e përfytyron si një shtet, regjimi i së cilës do të jetë republika dhe mënyra e qeverisjes demokracia. Më tutje për Samiun Shqipëria do të duhej të ishte një vend i zhvilluar për nga teknologjia, infrastruktura, shkenca e kultura. Samiu, në përputhje me idealet e iluminizmit europian dhe idenë e qytetërimit, shtetin e konceptonte si të vetmin organizim politik në të cilin individi dhe shoqëria ka mundësi, siç thotë Aristoteli, “të jetojë një jetë të mirë”. Pra, pyetjen që duhet shtruar çdo shqiptar është “A u bë Shqipëria ashtu siç e imagjinonin rilindësit dhe Samiu?”. Përgjigja është se idealet e Samiut, për shumë arsye, nuk u jetësuan. Brezat e këtyre njëqind vjetëve të fundit dështuan në jetësimin e tre idealeve të Rilindjes dhe vetë Samiut.
Së pari, në rrafshin e krijimit të një shteti në të cilin do të përfshiheshin të gjitha trojet shqiptare. Kjo, në fakt, është edhe vuajtja kryesore e nacionalizmit shqiptar dhe dështimi më i madh i kombit shqiptar. Dështimi më i madh i mendimit nacionalist shqiptar është fakti që shqiptarët, edhe pas njëqind vjetësh e ca, akoma janë të ndarë e shpërndarë nëpër disa shtete të ndryshme. Ndërkaq, Samiu, duke u nisur nga parimi etnik, parashihte krijimin e shtetit shqiptar, kufijtë e të cilit do të vendoseshin deri në pikën e fundit ku jetonte shqiptari, sepse Samiu na thoshte që “qëllim’i vetëm i shqipëtarëvet është të ruajnë Shqipërinë të mos copëtohetë prej të huajve…” Shqipëria jo vetëm që u copëtua dhe jo vetëm që sot shqiptarët janë të ndarë me kufij politikë, por ata gjithashtu janë të ndarë edhe me kufij simbolikë. Sot shqiptarët po ndërtojnë “shqiptari” të ndryshme, secili në mënyrën e veçantë e në kundërshti të plotë me vizionin e Samiut.
Së dyti, Samiu përfytyronte një Shqipëri dhe “shqiptari” e cila do t’i përbrendësonte në tërësi vlerat e qytetërimit europian, si vlera përmes të cilave kombi shqiptar do të mund të mbijetonte në këtë hapësirë dhe të vetërealizohet. Sot shqiptarët e kanë përcaktuar qartë orientimin e tyre vleror dhe synojnë vlerat europiane ose perëndimore, por megjithatë vështirë që mund të flasim për një përbrendësim dhe jetësim të tyre në kuptimin e plotë të fjalës. Kur thuhet se Europa ose qytetërimi europian në vetvete është vlerë, kemi parasysh demokracinë, ndërtimin e shtetit ligjor, lirinë, të drejtat e individit e kështu me radhë. Shikuar gjendjen e përgjithshme të shqiptarisë nga ky këndvështrim, duket qartazi që në këtë rrafsh shumëçka çalon. Demokracia në Shqipëri dhe, përgjithësisht, mënyra se si sot shqiptarët e konceptojë demokracinë dhe nocionet e tjera të ndërlidhura me të, siç është liria, barazia, mendimi kritik etj., është shumë larg asaj se si do të duhej të konceptoheshin dhe jetësoheshin këto nocione. Sot shqiptarët, pa asnjë dyshim, nuk kanë arritur të shpëtojnë nga një zakon tejet i shëmtuar, që i ndjek me shekuj të tërë, e që është korrupsioni dhe paaftësia për ta respektuar ligjin. Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë shumë larg të qenit shtete ligjore. Lidhjet fisnore, ngatërrimi i parimit të meritokracisë me atë të besnikërisë fisnore dhe politike, paaftësia për të krijuar një sistem të qarkullimit të elitave politike, pseudokapitalizmi ose mënyra gjysmëfeudale e gjysmëkapitaliste e prodhimit janë vetëm disa nga karakteristikat që e shënjojnë shqiptarinë sot, e që në thelb janë antieuropiane.
Së treti, Shqipëria dhe shqiptaria akoma është një shtet/shoqëri në zhvillim dhe, duke qenë kështu, nuk u zhvillua ashtu siç e imagjinonte Samiu. “Në ka naj gjë, për të cilënë shqiptarët duhetë të kujdesenë me të teprë, ajo pa ndryshim është diturija”, thoshte Samiu. Po ku jemi sot në këtë fushë? Është e vërtetë që kemi hapur shumë shkolla dhe universitete, por çështja është a prodhojmë dije dhe shkencë. Pa asnjë dyshim sot shqiptarët kanë dështuar pothuajse, mjerisht, në këtë fushë. Sot shqiptaria përjeton një tkurrje të tmerrshme demografike si pasojë e skamjes ekonomike dhe sigurisht arsyeve të tjera, të cilat janë të lidhura me keqqeverisjen, korrupsionin dhe shpërfytyrimin e vlerave të përgjithshme. Kjo tkurrje demografike e kërcënon seriozisht ekzistencën e qenies shqiptare. Sot shqiptarët akoma janë të varfër. Madje, referuar disa raporteve dhe statistikave të institucioneve ndërkombëtare, shqiptarët, për nga mirëqenia ekonomike, radhiten të fundit e Europës.
Kah po shkon shqiptaria
Krahasuar me njëqind vjet më parë, pa pikë dyshimi që shqiptarët janë shumë më mirë se atëherë. Sot, shqiptarët, si asnjëherë më parë, kanë krijuar miqësi me shumë shtete e popuj të botës. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe sapo ka filluar negociatat për anëtarësim të plotë në BE. Kosova, me gjithë problemet që i ka, është shtet i pavarur dhe hapëron drejt përfundimit të shtetësisë së saj. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, njashtu, janë shumë më mirë se më parë dhe janë një aktorë stabiliteti në vend.
Por, edhe përkundër këtyre fakteve, kjo nuk duhet të nënkuptojë që duhet harruar sfidat, të cilat i presin shqiptarët në dekadat e ardhshme, të cilat për nga shumë aspekte paralajmëron sfida, të cilat vërtet mund ta cenojnë ekzistencën e kombit shqiptar. Sigurisht, sipas një shprehjeje klishe, e ardhmja nuk mund të parashikohet. Dhe, kjo duket të jetë e vërtetë. Por, kjo nuk nënkupton që nuk duhet lodhur koka dhe nuk duhet punuar për të ardhmen. Parë nga një këndvështrim kombëtarist, problemi kryesor i botës shqiptare pa dyshim është policentrizmi politik, por edhe kulturor dhe ekonomik. Përveç kufijve politikë, është e qartë që kufijtë simbolik dhe imagjinarë brenda botës shqiptare ekzistojnë edhe sot e kësaj dite. Ajo që shohim sot është ekzistenca e disa “Shqipërive” të pavarura njëra nga tjetra, me dallime serioze për çështjet thelbësore kombëtare dhe me vizione të ndryshme për kombin. Nëse sot ekziston një projeksion ose vizion për fatin e shqiptarëve në të ardhmen e që duket sikur gëzon një mbështetje brenda klasave politike dhe kulturore, është ai vizion që shpeshherë shprehet nga një klishe e njohur që “shqiptarët do të bashkohen në BE” dhe se përpjekjet për një përbashkim dhe integrim më serioz janë të panevojshme. Kjo është një floskulë e pasubstancë ose, në rastin më të mirë, e paqartë. Për më tepër, është manifestim i paaftësisë për të artikuluar një vizion me ngjyrime kombëtare për të ardhmen e kombit.
Debati për identitetin kosovar, përplasjet ose mosdurimi ndërmjet dy kryeministrave, atij të Shqipërisë dhe Kosovës, indiferenca politike e Shqipërisë ndaj çështjes së Kosovës dhe dallimet ndërmjet Kurtit dhe Ramës kundrejt Ballkanit të Hapur dhe jo vetëm, e shpërfaqin më së miri policentrizmin politik në botën shqiptare. Duke i parë të gjitha këto, nuk duket që shqiptaria po shkon drejt idealit të Rilindjes Kombëtare – bashkimi i shqiptarëve në një shtet. Madje, edhe sikur ta marrim për të mirëqenë pamundësinë për një bashkim politik e administrativ, vështirë mund të flasim për edhe një rrjetëzim të botës shqiptare edhe në fushat tjera, siç është ekonomia, kultura etj.
Përafrimi politik, ekonomik e kulturor i shqiptarëve nuk është i nevojshëm dhe rëndësishëm vetëm për një nacionalist i cili beson që bota për nga natyra është e ndarë në kombe dhe se një komb duhet të jetojë brenda një shteti të vetëm, por edhe për shumë arsye tjera. Duke parë trendin demografik në botën shqiptare, i cili është në një rënie të lirë, dhe proceset globalizuese në botë, të ngelurit të ndarë e të dezintegruar, ashtu siç jemi tani, përbën një rrezik ontologjik për kombin shqiptar. Në epokën e një hiperkapitalizmi, ku kompanitë multinacionale posedojnë një kapital marramendës dhe ku qarkullimet vjetore të tyre kalojnë GDP-në e shumë vendeve të botës, shtetet e vogla gjithnjë e më shumë e humbasin rendësinë e tyre, rrjedhimisht edhe sovranitetin e tyre. Duke qenë kështu, bashkëpunimi në të gjitha nivelet dhe në intensitetin më të lartë të mundshëm ndërmjet shqiptarëve, paraqet një domosdoshmëri morale e çdo shqiptari.
Edhe përkundër teorive kosmopolitaniste dhe agjendave tejkombëtariste, sot për sot kombi akoma është një realitet sociologjik dhe politik. Teoricienë të ndryshëm, siç është Eric Hobsbam, si pasojë e globalizimit dhe proceseve tjera të botës së pas-Luftës së Dytë Botërore, parashikuan humbjen e rëndësisë mobilizuese të nacionalizmit dhe identitetit kombëtar, gjë që nuk ndodhi. Anthony Smith-i argumenton që nacionalizmi dhe ndjenjat kombëtare akoma përbëjnë një fuqi mobilizuese të masave në të gjithë botën. Pra, nga ajo që mund të shihet është se edhe për një kohë relativisht të konsiderueshme kjo botë do të jetë bota e kombeve, sigurisht pa përjashtuar bashkëpunimin dhe integrimin mes tyre në shkallë dhe forma të ndryshme.
Parë nga kjo perspektivë, teoritë dhe qasjet që sot njerëzimi jeton në një botë paskombëtare, janë utopike. Sot gjithnjë e më shumë nëpër botë po jehon zëri për sovranitet kombëtar. Ngritja e së djathtës ekstreme në Europë dhe, së fundmi, fitorja e Donald Trump-it, dëshmon për një zhvendosje, në mos paradigmatike, së paku ideologjike, të ligjërimit dominues – nga ligjërimi neoliberal në një ligjërim më sovranist e konservator.
Të gjitha këto zhvillime duhet të paraqesin një alarm të fuqishëm për politikën shqiptare në Ballkan. Sot, integrimi i shqiptarëve në shkallën më të lartë të mundshme, zhbërja e kufijve mes tyre, zhvillimi i sovranitetit demokratik, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, arsimi cilësor, politikat demografike, siguria shtetërore ose kombëtare dhe ndjekja e risive teknologjike, do duhej të ishin në qendër të politikës shqiptare në Ballkan.