CENTCOM: SHBA përfundon tërheqjen nga baza al-Tanf në Siri

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) ka konfirmuar se ushtria amerikane ka përfunduar tërheqjen nga baza al-Tanf në jug të Sirisë pas gati një dekade, transmeton Anadolu.
“Forcat amerikane mbeten të gatshme për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi nga DEASH-i që mund të shfaqet në rajon, ndërsa ne mbështesim përpjekjet e udhëhequra nga partnerët për të parandaluar ringritjen e rrjetit terrorist”, tha komandanti i CENTCOM-it, admirali Brad Cooper.
“Ruajtja e presionit ndaj DEASH-it është thelbësore për mbrojtjen e territorit të SHBA-së dhe forcimin e sigurisë rajonale”, shtoi ai.
CENTCOM njoftoi se largimi nga Garnizoni al-Tanf u përfundua më 11 shkurt si pjesë e një “tranzicioni të qëllimshëm dhe të bazuar në kushte” nën Task Forcën e Përbashkët të Kombinuar – Operacioni Inherent Resolve (CJTF-OIR), i krijuar në vitin 2014 për të luftuar grupin terrorist DEASH.
“Qeveria siriane ka marrë kontrollin e bazës strategjike në nyjën kufitare me Irakun dhe Jordaninë pas tërheqjes amerikane”, thanë dje burime qeveritare siriane për Anadolu, duke shtuar se aty janë dislokuar njësi të Ushtrisë Siriane.
SHBA e ka përdorur bazën al-Tanf, e cila u zgjerua në vitet 2017 dhe 2018, si dhe balonat e vëzhgimit të vendosura aty, për të monitoruar aktivitetet ushtarake të grupeve të mbështetura nga Irani dhe të organizatës terroriste DEASH përgjatë një zone prej qindra kilometrash midis kufirit me Jordaninë dhe lumit Eufrat.



