Çaji i zi i konsumuar çdo ditë kontribuon pozitivisht në shëndetin kardiovaskular

Rektori i Universitetit “Recep Tayyip Erdoğan” në qytetin turk të Rizes, prof. dr. Yusuf Yılmaz tha se sipas hulumtimeve klinike, pirja e të paktën 3 deri në 5 gota çaj në ditë, kontribuon ndjeshëm në shëndetin kardiovaskular, raporton Anadolu.
Në konferencën për media që mbajti në universitet, prof. dr. Yılmaz tha se artikulli shkencor që ai përpiloi, i cili përshkruan “Efektet pozitive të çajit të zi në shëndet”, u publikua në revistën ndërkombëtare të quajtur “International Journal of Food Science”.
Duke vënë në dukje se janë një universitet i specializuar në fushën e çajit, Yılmaz tha se çaji është pija më e konsumuar në botë pas ujit. “Prandaj është një ekonomi shumë e rëndësishme për Rize-n. Ne përpiluam artikujt ekzistues shkencorë mbi përfitimet shëndetësore të çajit dhe i sollëm në literaturë si një artikull i vetëm”, u shpreh ai.
Yılmaz tha se çaji ka shumë efekte pozitive në shëndetin e njeriut. “Sipas hulumtimeve klinike, pirja e të paktën 3 deri 5 gotave çaj në ditë kontribuon ndjeshëm në shëndetin kardiovaskular. Çaji redukton arteriosklerozën dhe shkakton ulje të lehtë të presionit të gjakut. Ndikon pozitivisht në kolesterolin e keq, i cili është faktor rreziku për sëmundjet e zemrës, pra shkakton rënie të lehtë”, tha Yılmaz.
Ai gjithashtu tregoi se çaji i cili ul sasinë e yndyrës në gjak, ka edhe efekt antioksidant.
“Bakteret e dobishme në zorrët tona përmirësojnë florën që ne e quajmë mikrobiotë në mënyrë pozitive. Ne e quajmë mikrobiotën një tru të dytë. Mund të themi se zorrët tona janë organi më i madh endokrin. Ajo ka rol në shumë fusha si psikologjia, shëndeti kardiovaskular dhe zhvillimi i kancereve të tjera. Ka efekt pozitiv. Nuk duhet të reduktojmë efektet pozitive të çajit duke përdorur sheqer apo cigare. Çaji është pije e dobishme dhe e shëndetshme. Ne besojmë se është një burim shërimi”, tha rektori i universitetit.
Përveç pirjes së çajit, Yılmaz përmendi se ushqimi i shëndetshëm, bërja e sportit dhe ushtrimet ofrojnë përfitime të rëndësishme. “Përndryshe, nuk dua të jap një drejtim të gabuar duke thënë ‘pini çaj, shpëtoni nga kanceri, pini çaj, zgjatni jetën’. Megjithatë, çaji redukton rrezikun e kancerit dhe zgjat jetëgjatësinë. Nëse përfitojmë nga faktorë të tjerë të lidhur me shëndetin, na pret një jetë vërtet e shëndetshme”, tha ai.