Burra me fotografi të Mlladiqit shfaqen në Beograd në ditën përkujtimore të gjenocidit në Srebrenicë

Organizata “Gratë në të Zeza” zhvilloi në Sheshin e Republikës në Beograd një manifestim përkujtimor për 30-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, me moton “Asnjëherë nuk do të harrojmë gjenocidin në Srebrenicë”.
Në kuadër të aktivitetit u realizua edhe veprimi simbolik “Serbi, shikoje veten në pasqyrë: do të shohësh Srebrenicën – 30 vite – 30 pasqyra”.
Në podiumin e statujës së princit Mihailo qëndruan aktiviste duke mbajtur numrin 8372, si kujtesë për numrin e viktimave të vrara në gjenocid.
Megjithatë, afër tubimit u mblodhën tre kundërshtarë që, përmes megafonit, mohonin se ka ndodhur gjenocid në Srebrenicë. Ata brohorisnin “Rroftë Republika Serbe” dhe shpalosnin emrat e serbëve të vrarë. Njëri nga burrat mbante në këmishë fotografinë e dënuarit për krime lufte, Ratko Mladiq, dhe një flamur me datën e shpalljes së Republikës Serbe.
Në tekst gjithashtu sqarohet se serbët e Bosnjës – me mbështetjen e autoriteteve të asaj kohe në Serbi kanë shpallur njëanshmërisht “Republikën Serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës”, më vonë të riemërtuar si Republika Serbe.
Ky veprim u konsiderua si hyrje në luftën e Bosnjës dhe, megjithëse ishte shpallur jo kushtetues nga Gjykata Kushtetuese e BiH, data e shpalljes vijon të nderohet si Dita e Republikës Serbe.
Organizata “Gratë në të Zeza” sërish u kanë kërkuar autoriteteve të Serbisë që ta pranojnë zyrtarisht gjenocidin në Srebrenicë, duke kërkuar që presidenti dhe zyrtarët e tjerë të ndalin mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera në Bosnjë e Hercegovinë.
Gjithashtu kanë kërkuar që mohim i krimeve të klasifikohet ligjërisht si vepër penale, që 11 korriku të shpallet Dita e Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës, dhe që të hiqen muralet që glorifikojnë Ratko Mladiqin.