Bullgaria mohon lidhjet me shpërthimet e pajisjeve “pager” në Liban

Agjencia bullgare e kundërzbulimit, DANS, nuk ka gjetur asnjë lidhje midis vendit dhe shpërthimeve të fundit në pajisjet e komunikimit në Liban, njoftoi media shtetërore, transmeton Anadolu.

Pajisjet, të cilat shpërthyen më 17 shtator, nuk kishin lidhje me importet, eksportet apo prodhimin bullgar, tha agjencia bullgare e lajmeve BTA.

Hetimi është nxitur nga një raportim hungarez që implikonte kompaninë “Norta Global Ltd.” me bazë në Sofje në shitjen e pajisjeve “pager” Hezbollahut.

DANS ka hedhur poshtë pretendimet, duke deklaruar se “Norta Global Ltd.” nuk kishte asnjë përfshirje në asnjë operacion financiar në lidhje me financimin e terrorizmit ose tregtinë me individë ose subjekte nën sanksionet e OKB-së ose BE-së.

Agjencia ka konfirmuar se asnjë pajisje komunikimi e lidhur me shpërthimet nuk kishte kaluar nëpër doganat bullgare.

Të martën dhe të mërkurën, Libani u godit nga dy valë shpërthimesh në pajisjet “pager” dhe ato të radio-komunikimit, duke rezultuar në 37 të vdekur dhe mbi 3.000 të plagosur.

Hezbollahu ka akuzuar Izraelin për orkestrimin e incidenteve, edhe pse Izraeli nuk ka komentuar.

Shpërthimet kanë rritur tensionet midis Izraelit dhe Hezbollahut, gjersa nga ana tjetër po vazhdojnë sulmet izraelite në Rripin e Gazës, ku mbi 41.300 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që nga 7 tetori i vitit të kaluar.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button