Buka dhe mishi i pulës më lirë për një denar, ja çmimet e reja të disa produkteve
Nga sot ka hyrë në fuqi masa për marzhe të kufizuara për mbi 70 produkte, e cila duhet të rezultojë me ulje të çmimeve të produkteve bazë.
Nga krahasimi i çmimeve të djeshme dhe të sotme, shihet se çmimet e produkteve të caktuara janë ulur, megjithëse shumë prej produkteve ende kanë të njëjtat çmime.
Pra, ka një ulje të ndjeshme të çmimeve të mishit. Kur krahasohen çmimet, shihet se mishi pulës është ulur për 10 denarë për kilogram, ndërsa çmimi i kilogramit të peshkut të ngrirë është ulur për 10 denarë simbolike.
Sa i përket produkteve të qumështit, disa lloje të djathrave janë ulur për 20 denarë për kilogram, ndërsa qumështi, kosi dhe gjiza kanë çmime të njëjta si dje.
Buka është e njëjtë, frutat dhe perimet me çmime të ulura.
Buka (e bardhë dhe gjysëm e bardhë) shitet me çmime identike si dje, gjegjësisht vetëm një lloj buke sot shitet për një denar më lirë, ndërsa rënie ka tek frutat dhe perimet.
Një kilogram mollë sot shitet më lirë për 9 denarë, portokalli ulet për 13, kurse pjeshkat për 25 denarë.
Çmimet e specave, domateve, lakrës, trangujve, patateve, qepëve dhe hudhrave janë më të lira.
Sindikata ka shprehur shqetësimin se nga gushti deri në shtator shpenzimet për ushqim dhe pije janë rritur për 717 denarë. Sipas tyre, tregtarët kanë shfrytëzuar njoftimet për vendosjen e marzheve të kufizuara për produktet ushqimore bazë për të rritur çmimet para hyrjes në fuqi të vendimit të qeverisë. Masa e qeverisë për marzhe të kufizuara do të jetë në fuqi për një muaj.