Brukseli pritet që “Agjendën reformuese 2024-2027” të RMV-së ta miratojë në shtator

Draft-Agjenda e Reformës për periudhën 2024-2027, e cila më 27 gusht u promovua nga kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, pritet që në mesin e shtatorit të miratohet nga Komisioni Evropian. Këtë e konfirmuan nga Ministria për Çështje Evropiane për Portalb.mk. Kjo Agjendë nuk është ndarë ende me opinionin, pasi siç thanë nga kjo ministri është akoma në përpunim e sipër dhe ka marrë komente nga BE, ku kërkohet që të përmirësohet cilësia e dokumentit, si dhe integrimin në dokument të detyrimeve që rrjedhin nga Rregullorja për instrumentin për reforma dhe zhvillim miratuar nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së më 14 maj 2024.

Nga Ministria e Çështjeve Evropiane thonë se dokumenti nuk do të publikohet përderisa është ende si draft, por pasi të miratohet përfundimisht nga të dyja palët, Bashkimi Evropian dhe Maqedonia e Veriut.

“Dokumentet që janë në proces dhe nuk janë ekskluzivisht në posedim tonin, siç është rasti me Agjendën e Reformës 2024-2027, publikohen, përkatësisht i vihen në dispozicion publikut në tërësi pasi të dyja palët (Maqedonia dhe KE) të kenë miratuar versionet përfundimtare. Në këtë seancë qeveria dha pëlqimin për tekstin dhe procedura vazhdon në kuadër të KE-së. Sapo Draft-Agjenda e Reformës të miratohet/konfirmohet nga KE dhe të miratohet Vendimi Zbatues i KE-së, Projekt-agjenda e Reformës do të mund të përkthehet dhe të vihet në dispozicion të publikut, domethënë do të publikohet nga të dyja palët, KE dhe Maqedonia e Veriut”, thuhet në përgjigjen e MÇE-së në pyetjen e Portalb-it se kur do të publikohet Agjenda.

Nga kjo ministri shtojnë se përgatitja e Agjendës së Reformës 2024-2027, si pjesë e Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor 2024-2027, është punuar intensivisht në muajt e fundit në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me shërbimet e Komisionit Evropian, përfshirë Delegacionin e BE-së në vend.

“Theksojmë edhe një herë se për sa kohë që dokumenti është draft, ai është në version pune dhe janë të mundshme shtesa dhe rregullime, për shkak të së cilave ende nuk mund të publikohet. Përgatitja e Agjendës së Reformës bazohet në udhëzime dhe procedura dhe hapa të harmonizuar me Komisionin Evropian, duke përfshirë listën e prioriteteve kyçe për thellimin e reformave dhe integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Agjenda e reformës do të miratohet nga KE dhe organet përkatëse në përputhje me procedurat e tyre të brendshme, të cilat parashikojnë edhe një konsultim ndërinstitucional, në të cilin përfshihen të gjitha drejtoritë e përgjithshme kompetente”, nënvizojnë nga Ministria për Çështje Evropiane (MÇE).

Konsultimet intensive ndërinstitucionale të KE-së për Agjendën, shtojnë nga kjo Ministri, kanë zgjatur deri para fundit të gushtit dhe komentet e punës që vendi ka marrë në vazhdimësi kanë qenë në drejtim të përmirësimit të cilësisë së dokumentit, përshtatjeve të harmonizuara reciproke në prizmin e qëllimeve dhe të Qeverisë së re, si dhe integrimin në dokument të detyrimeve që rrjedhin nga Rregullorja për instrumentin për reforma dhe zhvillim (miratuar nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së më 14 maj 2024).

“Në këtë drejtim, janë zhvilluar pjesët e Agjendës së Reformës që i referohen krijimit të një strukture për monitorimin, raportimin dhe vlerësimin e zbatimit të Agjendës së Reformës, si dhe mekanizmat e kontrollit dhe auditimit. Sipas Rregullores 2024/1449, KE duhet të prezantojë Agjendën e Reformës para Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian dhe në fund ta miratojë atë duke miratuar një Vendim Zbatues të Komisionit Evropian. Sipas informacioneve që kemi aktualisht dhe njoftimeve nga KE, pritet që Agjenda e Reformës dhe Vendimi të miratohen në mesin e shtatorit 2024 në një seancë të Komitetit IPA”, thuhet në njoftimin e MÇE-së.

Ndryshe, kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani më 27 gusht prezantuan Draft-Agjendën e Reformës për periudhën 2024-2027. Ky plan, i iniciuar nga Komisioni Evropian, synon të zvogëlojë pabarazitë ekonomike të shtetit dhe Bashkimit Evropian, duke u ofruar qytetarëve qasje në përfitimet e Bashkimit edhe para anëtarësimit zyrtar.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button