“Brenda 1 tetorit largojini nga Kursku”, Zelensky pranon situatën e vështirë në Donbas

Vladimir Putin është i vendosur që të vazhdojë luftën deri në fund kundër Ukrainës. Për këtë arsye, shefi i Kremlinit ka dhënë urdhër që të dëbojë trupat ukrainase nga rajoni i Kurskut deri më 1 tetor.
Plani gjithsesi nuk parashikon tërheqjen e trupave ruse nga zonat kryesore të Donbas, në Ukrainën lindore, citojnë mediat ndërkombëtare. Presidenti rus urdhëroi forcat e tij të qëndrojnë në qytetet Pokrovsk dhe Toretsk, në rajonin e Donetskut.
Po ashtu, gjatë një takimi me nënat e fëmijëve të vrarë në sulmin terrorist në Rusi në vitin 2004, Putin bëri të qartë se do të arrijë fitoren e plotë kundër Ukrainës: “Sa i përket atyre kundërshtarëve dhe armiqve që përmenda më parë, ata vazhdojnë këtë punë duke u përpjekur të destabilizojnë vendin tonë. Është e qartë. Në të njëjtën mënyrë që kemi luftuar me terroristët më parë, tani ne luftojmë me ata që kryejnë krime në rajonin e Kurskut dhe Donbas. Por, në të njëjtën mënyrë që kemi arritur qëllimet tona në luftën kundër terrorizmit, ne do t’i arrijmë qëllimet tona në luftën kundër neonazizmit dhe ne do të ndëshkojmë kriminelët”.
Ndërkohë, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka folur me tone pesimiste për të ardhmen e luftës. Ai bëri të qartë se në lindje të Ukrainës situata është tepër e vështirë: “Kisha një raport nga komandanti Syrsky, fronti dhe mbrojtja në drejtimet Pokrovsk dhe Toretsk. Është një situatë e vështirë, por djemtë po bëjnë gjithçka për të shkatërruar pushtuesin. Syrsky dha gjithashtu përditësime për Kursk ku “ne po arrijmë objektivat e përcaktuara. Dhe prioriteti është rindërtimi i ‘fondit të këmbimit të burgosurve të luftës për Ukrainën”.
Ushtria ruse bëri të ditur se forcat e saj kishin penguar tentativat për sulme ukrainase ndaj katër vendbanimeve në rajonin e saj perëndimor të Kurskut dhe kishin marrë kontrollin e asaj që e përshkroi si qendrën strategjike logjistike të Niu-York në Ukrainën lindore. Kapja e Niu-York, nëse konfirmohet nga Ukraina, do të shënonte një tjetër përparim në përpjekjen e Moskës për të kapur të gjithë rajonin e Donetskut. /a2news/