“Braktiseni Izraelin”: Si përshkallëzimi ushtarak me Iranin po përçan bazën e mbështetësve të Trump

Pas betimit për mandatin e tij të dytë në janar, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, premtoi se do të “ndalonte të gjitha luftërat” dhe do të linte pas një trashëgimi si “paqebërës dhe unifikues”.
Por gjashtë muaj më vonë, raketat po fluturojnë nëpër Lindjen e Mesme pasi Izraeli sulmoi Iranin, duke rrezikuar një luftë të plotë rajonale që mund të tërheqë edhe trupat amerikane.
Sulmet izraelite ndaj Iranit, të cilat Trumpi i ka përkrahur thuajse haptazi, po vënë në provë premtimin e tij për të qenë një lajmëtar paqeje.
Ato gjithashtu po përçajnë bazën e tij të mbështetjes, me shumë politikanë dhe komentues të djathtë që theksojnë se mbështetja e pakushtëzuar për Izraelin bie ndesh me platformën “America First” (Amerika e Para), me të cilën Trump u zgjodh.
“Në shumë pjesë të bazës së ‘America First’ ndjehet një ndjesi e fortë tradhtie dhe zemërimi, sepse ata tashmë janë kthyer kundër idesë që SHBA duhet të përfshihet apo të mbështesë luftëra të tilla,” tha Trita Parsi, zëvendëspresident i institutit Quincy në SHBA, që promovon diplomacinë.
“Ata janë bërë skeptikë ndaj Izraelit dhe besojnë fort se këto lloj luftërash janë arsyeja pse presidencat republikane dështojnë — dhe pse komprometohet axhenda e tyre e brendshme.”
“Braktiseni Izraelin”
Disa konservatorë e kritikuan sulmin izraelit të premten, duke paralajmëruar se SHBA nuk duhet të tërhiqet në një luftë që nuk i shërben interesave të saj.
Komentuesi i fuqishëm konservator Tucker Carlson — figurë kyçe në lëvizjen “Make America Great Again (MAGA)” të Trumpit — tha se SHBA nuk duhet të mbështesë “qeverinë e etur për luftë” të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
“Nëse Izraeli dëshiron të zhvillojë këtë luftë, ka çdo të drejtë ta bëjë. Është një shtet sovran dhe mund të veprojë si të dojë. Por jo me mbështetjen e Amerikës,” thuhej në buletinin e mëngjesit të rrjetit Tucker Carlson të premten.
Aty shtohej se një luftë me Iranin mund të “ushqejë gjeneratën tjetër të terrorizmit” apo të çojë në vrasjen e mijëra amerikanëve për një axhendë të huaj.
“Është e qartë që asnjë nga këto nuk do të ishte në dobi të SHBA,” thuhej në buletin. “Por ekziston një mundësi tjetër: braktiseni Izraelin. Le t’i bëjnë luftërat e tyre vetë.”
Senatori republikan Rand Paul gjithashtu paralajmëroi kundër një lufte me Iranin dhe kritikoi neokonservatorët luftënxitës në Uashington.
“Populli amerikan në mënyrë dërrmuese kundërshton luftërat e pafundme, dhe ata votuan në këtë mënyrë kur votuan për Donald Trump në vitin 2024,” shkroi Paul në një postim në rrjetet sociale.
“E ftoj Presidentin Trump të qëndrojë në kursin e tij, të vazhdojë të vendosë Amerikën të parën dhe të mos përfshihet në ndonjë luftë midis vendeve të tjera.”
Edhe kongresistja e djathtë Marjorie Taylor Greene dha një mesazh që sugjeronte se ajo është kundër sulmeve. Ajo më parë e ka paralajmëruar Trumpin të mos sulmojë Iranin mbi bazën e pretendimeve izraelite se Teherani po afron të zotërojë armë bërthamore.
“Jam duke u lutur për paqe. Paqe,” shkroi ajo në X. “Ky është qëndrimi im zyrtar.”
Ndërsa shumë mbështetës të Izraelit kanë përmendur rrezikun e një Irani me armë bërthamore, qeveria në Teheran e ka mohuar prej kohësh ndjekjen e një arme të tillë. Vetë shefja e inteligjencës së Trumpit, Tulsi Gabbard, dëshmoi në mars se SHBA “vazhdojnë të vlerësojnë se Irani nuk është duke ndërtuar një armë bërthamore”.
Charlie Kirk, aktivist dhe komentues kryesor republikan që është përkrahës i zëshëm i Izraelit, gjithashtu shfaqi skepticizëm ndaj përfshirjes në një luftë me Iranin.
“Ju them që tani, baza jonë MAGA nuk dëshiron asnjë luftë. Asfare,” tha Kirk në podkastin e tij. “Ata nuk duan përfshirjen e SHBA. Nuk duan që SHBA të përfshihet fare në këtë.”
Sulmet e Izraelit
Disa orë para se Izraeli të fillonte bombardimet ndaj Iranit të premten — duke shënjestruar baza ushtarake, objekte bërthamore dhe ndërtesa banimi — Trump tha se administrata e tij ishte e përkushtuar ndaj diplomacisë me Teheranin.
“Është shumë e thjeshtë. Nuk është e ndërlikuar. Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore. Përveç kësaj, dua që ata të kenë sukses. Do t’i ndihmojmë të kenë sukses,” tha Trump në një konferencë për shtyp të enjten.
Një raund i gjashtë bisedimesh për çarmatimin bërthamor midis zyrtarëve amerikanë dhe iranianë ishte planifikuar të mbahej në Oman të dielën.
Megjithatë, të premten Trump i tha gazetarëve se kishte qenë në dijeni paraprakisht për sulmet izraelite. Ai nuk tregoi se kishte vendosur veto ndaj fushatës së bombardimeve, edhe pse sekretari i shtetit Marco Rubio i përshkroi veprimet e Izraelit si “njëanshme”.
Përkundrazi, Trump e hodhi përgjegjësinë mbi Iranin, duke thënë se zyrtarët iranianë duhet të kishin dëgjuar thirrjet e tij për një marrëveshje për çmontimin e programit të tyre bërthamor.
“U thashë se do të ishte shumë më keq sesa çdo gjë që ata dinë, parashikojnë apo që u është thënë, se SHBA prodhon pajisjet më të mira dhe më vdekjeprurëse ushtarake në botë, PËR NGA LARG, dhe se Izraeli ka shumë prej tyre, me shumë të tjera që po vijnë,” shkroi Trump në një postim në rrjete sociale.
Sipas Parsi-t, në fillim Trump kishte dëshirë të arrinte një marrëveshje me Iranin, por kërkesat e tij për të ndalur pasurimin e uraniumit çuan në bllokim të bisedimeve.
“Në vend që të ndiqte negociatat në mënyrë të arsyeshme, ai mori qëndrimin ‘zero pasurim’, që në mënyrë të parashikueshme do të çonte në bllokim, dhe këtë e përdori Izraeli për ta shtyrë drejt sulmeve ushtarake dhe përshkallëzimit,” i tha ai Al Jazeera-s.
Parsi shtoi se ai beson se Trump ka gënjyer javën e kaluar duke u shfaqur pro diplomacisë, ndërkohë që e dinte se sulmet izraelite ishin të pashmangshme.
“Trump qëllimisht bëri deklarata në favor të diplomacisë, në favor të mos-sulmeve nga Izraeli, duke bërë që të gjithë të besojnë se, nëse do të kishte një sulm, ai do të ndodhte pas raundit të gjashtë të bisedimeve të dielën,” tha ai. “Në vend të kësaj, ndodhi më herët.”
Baza “America First”
Ndërsa sulmet izraelite morën disa kritika në Kongres, shumë republikanë dhe demokratë i përkrahën ato.
Por një pjesë kyçe e bazës së Trumpit është segmenti i së djathtës që kundërshton mbështetjen e pakushtëzuar të SHBA për Izraelin.
“Ata përfaqësojnë një segment të fortë brenda Partisë Republikane, sidomos nëse shikoni individët më të rinj në moshë,” tha Jon Hoffman, studiues në politikën e jashtme dhe mbrojtje në Institutin Cato, një think-tank libertarian.
Hoffman iu referua një sondazhi të fundit nga Pew Research Center që sugjeron se 50 për qind e republikanëve nën moshën 50 vjeç kanë një mendim të pafavorshëm për Izraelin.
“Ndër zgjedhësit, populli amerikan është i lodhur dhe i ngopur me këto luftëra të pafundme,” i tha ai Al Jazeera-s. /Al Jazeera/