Borrell: Shtetet e BE-së duhet të respektojnë urdhër-arrestin e GJNP-së për Netanyahun
Kreu i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell tha se shtetet anëtare të BE-së duhet të përmbushin detyrimet e tyre për të drejtën ndërkombëtare duke respektuar urdhër-arrestin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, raporton Anadolu.
Duke tërhequr vëmendjen për faktin se të gjithë anëtarët e BE-së janë palë në Konventën e Romës, në bazë të së cilës u themelua GJNP, Josep Borrell tha: “Nuk mund të zgjedhësh. Nuk mund të mbështesni një rast kur gjykata shkon kundër Putinit dhe të heshtni kur gjykata shkon kundër Netanyahut”.
Duke folur për mediat në margjinat e takimit të Ministrave të Jashtëm të grupit G7 në Itali, ai tha se standarde të tilla të dyfishta po shkaktojnë kritika të drejta dhe të ashpra ndaj BE-së.
“Unë kërkoj nga shtetet anëtare të BE-së të përmbushin detyrimin e tyre për të drejtën ndërkombëtare. Ju pëlqen apo jo, GJNP është një gjykatë po aq e fuqishme sa çdo gjykatë kombëtare”, shtoi ai, duke paralajmëruar:
“Nëse Evropa nuk e mbështet GJNP-në, nuk do të ketë shpresë për drejtësi”.
Në lidhje me Libanin, ai paralajmëroi se vendi do të shpërbëhej nëse propozimi aktual i armëpushimit nga SHBA-ja dhe Franca nuk zbatohet.
Borrell tha se sulmet e vazhdueshme izraelite çuan jo vetëm në zhvendosjen dhe vrasjen e një numri të madh të libanezëve, por gjithashtu dëmtuan rëndë institucionet shtetërore libaneze, përfshirë ushtrinë.
Duke kujtuar kundërshtimet ndaj propozimit të ministrave ekstremistë në qeverinë izraelite, ai i kërkoi Netanyahut të punonte për miratimin dhe zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit.