Blerim Bexheti akuzon se kallëzimi penal ndaj tij është i motivuar politikisht

Deputeti i BDI-së, Blerim Bexheti, e akuzoi kryeministrin Hristijan Mickoski se me kallëzimin penal të paraqitur dje po ushtron presion ndaj tij si deputet, me qëllim që të rritet shumica parlamentare, dhe se kallëzimi është pjesë e një fushate të organizuar, e regjisuar nga pushteti dhe drejtpërdrejt nga kryeministri.

“As unë, as kushdo tjetër nga deputetët e BDI-së nuk frikësohet dhe nuk do të dorëzohet para presioneve të pushtetit. Kallëzimi penal i paraqitur nga Policia Financiare është tërësisht i pabazë dhe për këtë, kundër drejtorit Slobodan Ivanovski, zëvendësdrejtorit Ilber Imeri dhe dy personave të tjerë, që kanë marrë pjesë si një bandë e organizuar në këtë fushatë politike, do të paraqesim kallëzim të duhur. Me dëshmitë që ne posedojmë do të vërtetojmë se urdhrat vijnë drejtpërdrejt nga kryeministri Mickoski, që paraqesin përpjekje të drejtpërdrejta për të ushtruar presion ndaj meje si deputet, me qëllim që të rritet shumica në Parlament. Prandaj sot publikisht u drejtohem me mesazhin se funksionet e tyre nuk janë të përjetshme, ndërsa lufta jonë për të drejtat e shqiptarëve, të cilën lideri ynë Ali Ahmeti e udhëheq prej 20 vitesh, është e ndershme dhe e sinqertë. Asnjë nga deputetët e BDI-së nuk do t’u nënshtrohet presioneve tuaja dhe të kalojë në VLEN, e aq më pak unë”, tha Bexheti, i cili për tre mandate ka qenë kryetar i Komunës së Sarajit, ndërsa dje mori kallëzim penal për përvetësim të 108 milionë denarëve ose 1,7 milionë eurove.

I pyetur mbi argumentin kryesor të Policisë Financiare, dhënien e lejes së ndërtimit në kohën kur nuk kishte plan urbanistik (PDU), Bexheti tha se PDU-ja është miratuar kur ai ka qenë kryetar komune, ndërsa ministri dhe kryetari i Shkupit kanë qenë nga radhët e VMRO-DPMNE-së.

“Ekziston Plani Detal Urbanistik. Të gjitha procedurat e komunës janë zbatuar në kuadër të kompetencave ligjore, me dokumente dhe akte të vlefshme dhe në asnjë moment nuk ka pasur qëllim, përfitim apo dëm. Ligji për ndërtim lejon dhënien e lejes së ndërtimit bazuar në plan të vlefshëm ose projekt urbanistik. Pikërisht kështu është vepruar – nuk ekziston dëm material, asnjë denar humbje për komunën. Gjithçka është e dokumentuar dhe gjithçka është e ndershme. Ata dje flisnin për një skandal me 108 milionë denarë dëm. Kjo është vetëm një trillim për të krijuar spektakël mediatik, për të na njollosur dhe për të na frikësuar, por gënjeshtrat nuk janë dëshmi dhe pikërisht për këtë kallëzimi i sajuar dhe politikisht i porositur do të bjerë shpejt”, shtoi Bexheti, sipas të cilit ky kallëzim nuk është vetëm sulm ndaj tyre, por edhe ndaj dinjitetit të shqiptarëve.

I pyetur nëse e ka njohur dhe ka qenë i afërt me investitorin, ai tha se si kryetar i komunës së Sarajit për tre mandate, i njeh pothuajse të gjithë dhe sigurisht edhe investitorin, por shtoi se nuk ka qenë i afërt me të.

Sa i përket mënyrës së veprimit të grupit parlamentar të BDI-së në Kuvend, në lidhje me ligjet që presin, si ai zgjedhor, Ligji për vetëqeverisje lokale, për të cilët nevojitet Badinteri, Bexheti tha se deputetët e BDI-së dhe koalicionit nuk janë dekor që miratojnë gjithçka që propozon Qeveria dhe shumica parlamentare.

Drejtoria e Policisë Financiare dje parashtrói kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike – Shkup kundër 8 personave, mes tyre edhe Bexheti, nën dyshimin se grupi i udhëhequr nga ish-kryetari ka trilluar urbanizimin e një parcele të paurbanizuar në DUP, ka përgatitur leje të rreme ndërtimi, ka sajuar kompensim për rregullimin e tokës ndërtimore, e madje ka kryer edhe “kontroll teknik” të objektit të ndërtuar në mënyrë ilegale, në pronësi të një firme nga fshati Gllumovë, vendlindja e Bexhetit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button