Bisedimet indirekte midis Hamasit dhe Izraelit fillojnë në Egjipt në përgatitje të marrëveshjes për shkëmbim pengjesh

Negociatat indirekte midis Izraelit dhe Hamasit kanë filluar në qytetin Sharm el-Sheikh në Egjipt për të përgatitur terrenin për një shkëmbim të burgosurish, transmeton Anadolu.
Duke cituar burime egjiptiane, kanali shtetëror ‘Al-Qahera News’ tha se bisedimet janë pjesë e përpjekjeve të Egjiptit për të zbatuar planin e armëpushimit në Gaza të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
“Ndërmjetësuesit nga Egjipti dhe Katari po bëjnë përpjekje të mëdha për të krijuar një mekanizëm për lirimin e të burgosurve”, theksuan burimet.
Një ekip negociator izraelit mbërriti sot herët në Sharm el-Sheikh për bisedimet e armëpushimit. Delegacioni i Hamasit, i kryesuar nga udhëheqësi i grupit Khalil al-Hayya, mbërriti dje.
Të shtunën, Ministria e Punëve të Jashtme e Egjiptit njoftoi se do të presë delegacionet izraelite dhe të Hamasit për të diskutuar detajet e shkëmbimit të të burgosurve në përputhje me planin e armëpushimit të Trumpit për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
Më 29 shtator, Trump zbuloi planin me 20 pika, i cili përfshin lirimin e pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë, një armëpushim, çarmatimin e Hamasit dhe rindërtimin e Gazës. Hamasi është pajtuar me planin në parim dhe po diskuton hapat e ardhshëm në Egjipt.
Që nga tetori i vitit 2023, bombardimet izraelite kanë vrarë pothuajse 67.200 palestinezë në Gaza dhe pjesa më e madhe e infrastrukturës është shndërruar në rrënoja.



