Bild zbulon detaje të reja: Witkoff e keqkuptoi Putinin, Rusia nuk do të heqë dorë nga territoret e pushtuara

Tabloidi gjerman Bild ka bërë pretendime tronditëse se i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trumpit, Steve Witkoff, e ka keqkuptuar qëndrimin e presidentit rus, Vladimir Putinit dhe se Rusia kurrë nuk ka hequr dorë nga kërkesat e saj maksimale në Ukrainë.
Sipas informacioneve të Bildit, edhe para samitit të paqes më 15 gusht, Kremlini nuk ka lëvizur nga kërkesa maksimale për të pasur kontroll të plotë mbi pesë rajone ukrainase: Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia, Kherson dhe Krimea, përpara se të ndalet lufta.
Pala ruse kishte propozuar vetëm “armëpushime sektoriale” – si për shembull ndalim i ndërsjellë i sulmeve mbi objektet energjetike apo mbi qytete të mëdha pas vijës së frontit – por në asnjë mënyrë ndalje të ofensivave të mëdha ruse përgjatë frontit.
Më herët, në prill, Witkoff e kishte vizituar Putinin dhe kishte sjellë shenja shprese që më vonë rezultuan të pabazuara.
Në këmbim, SHBA kishin ofruar ngrirjen e konfliktit përgjatë vijës aktuale të frontit – në këmbim të heqjes së gjerë të sanksioneve dhe marrëveshjeve të reja ekonomike me Rusinë. Sipas Bildit, Kremlini e kishte refuzuar këtë ofertë.
Edhe më keq, i dërguari i posaçëm i Trumpit, Witkoff, i kishte keqkuptuar plotësisht disa nga deklaratat ruse dhe kësisoj i kishte interpretuar gabimisht ato si lëshime nga ana e Putinit. Ai e kishte interpretuar gabimisht kërkesën ruse për një “tërheqje paqësore” të ukrainasve nga Khersoni dhe Zaporizhzhia si një ofertë për një “tërheqje paqësore” të rusëve nga ato rajone.
“Witkoff nuk e di se për çfarë po flet”, i tha Bildit një zyrtar i qeverisë ukrainase – një vlerësim që, sipas informatave të Bildit, e ndajnë edhe zyrtarë të qeverisë gjermane.
Sipas raportimeve, të enjten në mbrëmje u zhvillua një bisedë telefonike mes përfaqësuesve të qeverisë amerikane – përfshirë të dërguarin e posaçëm Witkoff, Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio zëvendëspresidentin J. D. Vance – dhe partnerëve evropianë. Sipas Bildit, pala amerikane u perceptua si kaotike dhe e paunifikuar.
Kjo, kryesisht për shkak të Witkoffit, komentet e të cilit për bisedën e tij me Putinin në Kremlin të mërkurën, u përjetuan si konfuze. Edhe vetë ai u duk për evropianët i ngarkuar dhe i paaftë kur fliste për çështjet territoriale në Ukrainë.
Po ashtu, duket se ka pasur një përplasje midis Witkoffit dhe Rubios për mënyrën e veprimit, pasi Sekretari i Shtetit theksoi se evropianët duhet të përfshihen në procesin e mëtejshëm, ndërsa J.D. Vance dhe Witkoff donin vetëm ta informonin Evropën për hapat e ardhshëm të Trumpit.