Bilall Kasami heq dorë nga mandati i deputetit, mbetet kryetar i Tetovës

Kryetari i Lëvizjes BESA dhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka dorëzuar një deklaratë në Kuvend se heq dorë nga mandati i deputetit dhe kërkon që të mos verifikohet.
“Unë, Bilall Kasami, si kandidat i zgjedhur për deputet në Njësinë e Gjashtë të Zgjedhjeve Parlamentare 2024, me ndërgjegje të pastër dhe mendje të shëndoshë, i padetyruar nga askush, nën përgjegjësi të plotë morale, materiale dhe penale, deklaroj se heq dorë nga mandati im i deputetit dhe kërkoj të mos verifikohet mandati nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në deklaratën e Kasamit të nënshkruar më 23 maj 2024, si pjesë e materialeve për seancën e nesërme konstituive të Kuvendit.
Kasami ka qenë kandidat për deputet nga Koalicioni VLEN.
Në seancën e parë të përbërjes së re parlamentare, e cila është caktuar të mbahet nesër me fillim nga ora 11:00, pika e parë e rendit të ditës është zgjedhja e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Verifikues të Kuvendit. Në seancë duhet të verifikohen mandatet e deputetëve, të zgjidhet kryetari, zëvendëskryetari, anëtarët dhe zëvendësit e tyre të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, si dhe kryetari i Kuvendit.



