Berisha: U votua propozim-vendimi për një projekt të madh infrastrukturor në Çair

Këshilltari në Qytetin e Shkupit Zekerija Berisha ka njoftuar se në Qytetin e Shkupit është miratuar vendimi për zgjerimin e rrugës “vetan Dimov”. Berisha informon se vlera e projektit arrin 150 milionë denarë, para këto të siguruara nga Buxheti i Qytetit të Shkupit.
“Sot u miratua propozim-vendimi për vendosjen e bashkëpunimit ndërkomunal ndërmjet Qytetit të Shkupit dhe Komunës së Çairit, për realizimin e një projekti të rëndësishëm infrastrukturore që përfshin hartimin e dokumentacionit projektues, ndërtimin, rindërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Cvetan Dimov”, nga kryqëzimi me bulevardin “Nikolla Karev” deri te kryqëzimi me rrugën “Xhon Kenedi”.
Vlera e përgjithshme e projektit arrin 150 milionë denarë me TVSH, të siguruara nga Buxheti i Qytetit të Shkupit dhe të planifikuara për realizim në vitet 2026–2028.
Ky vendim përfaqëson një hap konkret drejt:
përmirësimit të infrastrukturës rrugore
rritjes së sigurisë në komunikacion
lehtësimit të qarkullimit për qytetarët
zhvillimit urban dhe funksional të kësaj pjese të rëndësishme të qytetit
Komuna e Çairit do të kontribuojë me përgatitjen e projektit urbanistik dhe atij të komunikacionit, duke garantuar zgjidhje të qëndrueshme dhe në interes të qytetarëve.
Ky është një investim real, i planifikuar dhe i votuar, që dëshmon angazhimin institucional për zhvillim dhe përmirësim të jetës së përditshme në Çair dhe në Shkup”, ka shkruar këshilltari Berisha, nga rradhët e koalicionit VLEN.



