Bellingham i mjafton Realit për të mundur Juventusin, Bayerni, Liverpooli e Chelsea dominojnë rivalët

Liga e Kampionëve ka mbyllur javën e tretë, me shumë gola të shënuar nga gjigantët europianë.
Dueli më i rëndësishëm i mbrëmjes ishte ai mes Realit të Madridit dhe Juventusit. Në një sfidë të dominuar tërësisht nga “Los Blancos”, ishte Jude Bellingham ai i cili ndodhej në vendin e duhur në kohën e duhur për të shtyrë topin në rrjetë dhe për t’i dhënë fitoren minimale ekipit të Xabi Alonsos.
Bayern Munchen nuk tregoi mëshirë as përballë Club Brugge. Kampionët e Gjermanisë vijojnë me fitoret e bujshme, kësaj radhe duke mposhtur 4-0 ekipin belg.
Te fitorja u kthye më në fund edhe Liverpool. Pas 4 humbje radhazi në të gjitha kompeticionet, “Reds”-at arritën të triumfonin në Gjermani përballë Eintracht Frankfurt me rezultatin e thellë 5-1.
Chelsea luajti me Ajaxin, duke triumfuar në Londër gjithashtu 5-1. Në listën e golashënuesve spikatën tre adoleshentë, Guiu, Estevao dhe George.
Tottenhami ngeci në transfertën e Monacos duke barazuar pa gola, ndërsa i njëjti rezultat u regjistrua edhe në duelin Atalanta-Slavia Prague.
Në sfidën tjetër të mbrëmjes, Sporting Lisbona përmbysi Marseillen 2-1.