Bekim Sali: Solidariteti për Gazën nuk maskon të kaluarën e errët të Aliut!

Deputeti i VLEN-it, Bekim Sali, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të kundërshtarit politik Ali Ahmeti, duke e akuzuar këtë të fundit se “haptas ka pranuar përkatësinë ndaj një sekti të dyshimtë, i njohur botërisht për qëndrimet kundër Gazës dhe Palestinës”.
Sipas Salit, në vend që të përballen me këtë të vërtetë, partnerët aktualë të Ali Ahmetit përpiqen ta shtrembërojnë realitetin dhe të shfaqen si solidarë për çështjen palestineze, ndonëse faktet, sipas tij, flasin ndryshe.
“Faktet nuk mund t’i mbulojnë, ato flasin vetë,” shkroi Sali në një status publik.
Ai theksoi se deputetët e koalicionit VLEN, të pranishëm në seancën plenare të Kuvendit, po dëshmojnë për dallimin e tyre, duke mbajtur qëndrime të qarta dhe me integritet përballë qytetarëve.
Kjo deklaratë vjen në një kohë të tensionuar politike, ku debati për qëndrimin ndaj çështjes së Gazës ka marrë përmasa të thella morale dhe ideologjike.