Bekim Sali: Në SHBA realizuam takim me Gjeneralin Gregory C. Knight dhe Major Patrick Enriquez

Deputeti i koalicionit VLEN, Bekim Sali, ka njoftuar se gjatë qëndrimit zyrtar në SHBA është takuar me Gjeneralin Gregory C. Knight dhe Major Patrick Enriquez.
“Gjatë qëndrimit për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një delegacion të Kuvendit të RMV-së, në kuadër të programit Open Ëorld, me ftesë nga ambasada e SHBA-ve në Shkup, në shtetin Vermont patëm mundësinë të takohemi me Gjeneralin Gregory C. Knight dhe Major Patrick Enriquez.
Garda Kombëtare e Vermontit (VTNG) luan një rol të dyfishtë dhe kyç, duke mbrojtur shtetin dhe duke kontribuar në sigurinë kombëtare të SHBA-ve. E përbërë nga Garda Kombëtare e Ushtrisë dhe ajo Ajrore, ajo mbështet operacionet ushtarake federale dhe reagon ndaj emergjencave të ndryshme, si stuhitë, zjarret pyjore dhe situatat pandemike.
Në këtë kontekst, është e rëndësishme të përmendet edhe bashkëpunimi me Maqedoninë e Veriut nëpërmjet Programit për Partneritetin Shtetëror (SPP), i cili forcon lidhjet ndërkombëtare dhe kontribuon në promovimin e prioriteteve kombëtare të sigurisë.
Kjo vizitë zyrtare ka qenë një mundësi e shkëlqyer për të diskutuar mbi praktikat më të mira në fushën e sigurisë dhe për të forcuar marrëdhëniet ndërinstitucionale midis SHBA-ve, institucioneve tona dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke hapur rrugën për bashkëpunime të mëtejshme në të ardhmen”, ka shkruar deputeti Sali.