Bekim Sali: Lajm i rëndësishëm për arsimin fetar në Republikën e Maqedonisë së Veriut!

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi sot ligjin për shkollat e mesme fetare, një nismë që vlerësohet si historike në drejtim të garantimit të të drejtës për arsimim në përputhje me bindjet fetare dhe parimet demokratike të shtetit.
Deputeti i VLEN-it, Bekim Sali, përmes një reagimi në rrjete sociale e quajti këtë zhvillim një “hap përpara drejt respektimit të diversitetit dhe të drejtave të njeriut”, duke theksuar se ligji synon të krijojë kushte për një edukim cilësor në frymën e tolerancës, paqes dhe vlerave shpirtërore.
Sipas Saliut, ligji i ri:
-
Mundëson themelimin dhe funksionimin ligjor të shkollave të mesme me karakter fetar;
-
Përcakton standarde të qarta arsimore dhe pedagogjike, në përputhje me sistemin shtetëror;
-
Forcon lirinë e besimit dhe të shprehjes fetare në arsim;
-
Garanton kontroll institucional dhe cilësi në përmbajtjen mësimore.
“E ardhmja ndërtohet me dije, vlera dhe besim,” u shpreh deputeti i VLEN-it, duke falënderuar institucionet, komunitetet fetare dhe qytetarët që kontribuan në këtë proces.
Ligji vjen në një moment kur debati mbi rolin e arsimit fetar në shoqëritë moderne po zë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm, dhe pritet të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin e kuadrove të reja që ndërthurin dije akademike me formim shpirtëror.