Bekim Sali: Deklarata e Ali Ahmetit për Kosovën është e papranueshme dhe fyese

Deputeti i VLEN-it, Bekim Sali, ka reaguar ashpër ndaj fjalimit të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, të mbajtur në Prishtinë, ku ky i fundit tha se “Kosova është si në kohën e demonstratave kundër Serbisë”.
Sipas Salit, krahasimi i Kosovës së lirë e të pavarur me periudhën e okupimit serb është jo vetëm i pabesueshëm, por edhe një fyerje e rëndë për qytetarët dhe të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e vendit.
Ai i kujtoi opinionit disa qëndrime dhe veprime të Ahmetit, si përkrahja e projektit “Ballkani i Hapur” të promovuar nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, pritja e këtij të fundit me nderime në Shën Naum dhe mungesa e reagimit të duhur pas sulmit terrorist në Banjskë.
“Ndërkohë që mban fjalime për UÇK-në, pyes: a e kanë të definuar statusin e tyre Ushtarët e UÇK-së në Maqedoninë e Veriut? Asnjë njohje, asnjë dinjitet institucional – edhe pse BDI ka qenë mbi 20 vjet në pushtet,” tha Sali.
Ai theksoi se Kosova sot ka kontroll të plotë në territorin e saj, institucione funksionale, zbatim të ligjit dhe sovranitet të mbrojtur, duke e quajtur këtë rezultat të “vullnetit politik dhe përkushtimit shtetëror”, e jo të një “stabiliteti të rremë”.