Bekim Qoku: Investim 1.5 milionë euro në rrjetin e ujësjellësit për struganët

Deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku, ka shpallur nisjen e një investimi kapital prej 1.5 milionë euro për rikonstruktimin e rrjetit të ujësjellësit në Strugë, duke e cilësuar këtë si një moment kthese për qytetin pas katër mandateve neglizhence dhe mungese vizioni.
“Ku ka më mirë se javën ta mbyllësh me një promovim të një investimi 1.5 milionë euro në rrjetin e ujësjellësit për struganët”, shkroi Qoku në një postim në rrjetet sociale.
Ai denoncoi mungesën e projekteve serioze ndër vite, duke përmendur edhe shembuj të keqmenaxhimit si ndriçimi dekorativ i brigjeve të Drinit të Zi, që sipas tij, u shkatërrua për vetëm një vit edhe pse kushtoi 100 mijë euro.
“Mjafton ta krahasosh Strugën me Ohrin për të ndjerë dallimin. Duket sikur janë dy realitete të ndryshme”, shtoi deputeti.
Qoku theksoi se ky është vetëm hapi i parë i një plani më të gjerë zhvillimor:
✅ Ka nisur zgjerimi i rrugës kryesore drejt qendrës, ku po ndërtohet një bulevard modern.
✅ Janë paralajmëruar investime në Nefrologji, Spitalin e Përgjithshëm dhe Shtëpinë e Shëndetit.
“Këto nuk janë premtime, janë punë konkrete që kanë nisur tashmë. Dhe nuk do të ndalemi këtu. Struga do të ringrihet. Ditët më të mira kanë filluar sot!”, përfundoi Qoku.