Bekim Neziri dërgohet në burg shtëpiak

Gjykata Penale në Shkup ka vendosur që ta dërgojë kryetarin e degës së BDI-së në Çair Bekim Neziri në paraburgim shtëpiak. Shkak është roli i tij në ndërhyjen në M-NAV ku u rrahën disa të punësuar shqiptar.
“Këshilli, duke vlerësuar faktet dhe provat e bashkangjitura në ankesën e prokurorit dhe përgjigjet e mbrojtjes në ankesë, si dhe duke marrë parasysh pretendimet në vendimet nga procedura e mëparshme, ka marrë vendim me të cilin: Ankesat e Prokurorit Publik pranohen pjesërisht. Është marrë vendim me të cilin ndaj katër personave shqiptohet masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh si dhe masa shtesë sigurie, përkatësisht konfiskim i përkohshëm i dokumentit të udhëtimit dhe ndalim për lëshimin e tij dhe ndalim për afrim ose vendosje të kontatit, gjegjësisht mbajtjen e kontakteve apo marrëdhënieve mes të dyshuarve dhe të dëmtuarit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Penale.
Gjykata thekson se sipas të gjitha fakteve dhe të dhënave të paraqitura deri më tani, ngjarja konkrete nuk ka ndodhur në kullën e kontrollit, pra në dhomën nga e cila kryhet lundrimi, por në dhomën që është e ndarë nga të paktën dy hyrje sigurie përballë kullës.
Fakt është se të dyshuarit kanë ndërmarrë veprime të caktuara që duhet të hetohen më tej për të konstatuar gjendjen reale. Për shkak të gjithë kësaj, Këshilli miratoi vendime për të përcaktuar masat që do të ofrojnë garanci shtesë për disponueshmërinë e mëtejshme të këtyre katër të dyshuarve.
Katër prej gjithsej tetë të dyshuar për ndërhyrjen në kullë dhe rrahje të të punësuarve ende nuk janë kapur.
Hyrja në M-NAV dhe rrahja ndodhi më 4 janar. Prokuroria ka hapur procedurë hetimore për veprën penale të rrezikimit të sigurisë së qarkullimit ajror. Me vendimin fillestar, në të cilin në vend të paraburgimit u caktuan masa që ata të paraqiteshin në gjykatë dhe të mos largoheshin nga vendi, Gjykata pretendoi se prokuroria nuk ka dhënë prova të mjaftueshme për plotësimin e kushteve për këtë vepër.