BE riafirmon mbështetjen për OKB-në mes sfidave globale, kërkon reformën e Këshillit të Sigurimit

Bashkimi Evropian (BE) ka përsëritur mbështetjen ndaj Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe ka bërë thirrje për reforma në Këshillin e Sigurimit, duke theksuar nevojën për një sistem shumëpalësh më gjithëpërfshirës dhe më efektiv, transmeton Anadolu.
“Të jemi të qartë, kjo luftë mund të përfundojë menjëherë nëse Rusia, e vetmja përgjegjëse, tërheq trupat e saj dhe ndalon bombardimin e Ukrainës”, tha shefja e politikës së jashtme e BE-së, Kaja Kallas, duke iu referuar luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Kallas, e cila foli në një seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, theksoi se BE-ja mbetet e përkushtuar ndaj ligjit ndërkombëtar, ndihmës humanitare dhe diplomacisë shumëpalëshe mes përshkallëzimit të krizave globale.
Ajo gjithashtu kritikoi Rusinë për shkeljen e Kartës së OKB-së dhe minimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
“Ne nuk mund të lejojmë që një shtet anëtar të çmontojë parimet që kanë mbajtur së bashku rendin ndërkombëtar. Evropa ka mësuar nga historia e saj se dorëzimi ndaj kërkesave të agresorëve çon në më shumë dhunë”, tha Kallas.
Duke përmendur nevojën në rritje për reformat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kallas theksoi rëndësinë e bërjes së këtij organi më përfaqësues dhe më të përgjegjshëm ndaj sfidave globale.
“Këshilli i Sigurimit duhet të pasqyrojë botën e sotme, jo të vitit 1945,” tha Kallas, duke theksuar se vendet afrikane, latino-amerikane dhe aziatike duhet të kenë një përfaqësim më të fortë në këshill.
Më tej, ajo u zotua për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për ndihmën humanitare në mbarë botën, duke bërë thirrje për bashkëpunim të zgjeruar ndërkombëtar për të adresuar sfidat globale, duke përfshirë konfliktet, ndryshimet klimatike dhe zhvendosjen e detyruar.
Thirrja e BE-së për reformën e Këshillit të Sigurimit vjen mes kritikave të vazhdueshme për dështimin e këtij organi për të parandaluar ose zgjidhur konflikte të mëdha, duke përfshirë konfliktet në Ukrainë dhe Gaza.
“Komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të qëndrojë duarkryq përballë shkeljeve të qarta të ligjit ndërkombëtar”, tha Kallas.