BE-ja shpall plan investimesh prej 23 miliardë dollarësh për rajonet kufitare lindore

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se Bashkimi Evropian (BE) do të ofrojë 20 miliardë euro (23 miliardë dollarë) investime të synuara përmes nismës së re ‘EastInvest’ për të mbështetur rajonet kufitare lindore të prekura nga lufta në Ukrainë, transmeton Anadolu.
Duke folur në Konferencën e Nivelit të Lartë për Rajonet Kufitare Lindore, von der Leyen tha se fondi ‘EastInvest’ është projektuar posaçërisht për të shfrytëzuar potencialin ekonomik të komuniteteve kufitare dhe për të krijuar vende të reja pune dhe mundësi zhvillimi.
“Ne kemi nevojë për investime në këto rajone dhe rajonet kufitare kanë asete të konsiderueshme. Ato kanë pyjet e tyre, një sektor të fortë bujqësor dhe disponueshmëri të lëndëve të para kritike. ‘EastInvest’ bashkon disa nga burimet më të mëdha të financimit publik dhe privat në Evropë. Ai përfshin Bankën Evropiane të Investimeve dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim”, tha ”, tha von der Leyen, duke theksuar se synimi është nxitja e rritjes ekonomike dhe krijimi i punësimit.
Von der Leyen bëri të ditur se nisma do të përqendrohet në projekte të energjisë së rinovueshme, bujqësisë dhe pylltarisë, ku do të kontribuojnë bankat e sektorit publik dhe privat, si edhe institucionet kombëtare financiare.
Ajo theksoi se angazhimi i BE-së ndaj këtyre rajoneve shkon përtej investimeve, duke përmendur përpjekjet paralele për forcimin e sigurisë dhe mbrojtjes përgjatë krahut lindor, përfshirë financimin për mobilitetin ushtarak, Nismën e Mbrojtjes nga Dronët dhe programin ‘Eastern Flank Watch’.
“Të gjithë e dimë se komunitetet dhe ekonomitë kanë nevojë për siguri dhe stabilitet për të lulëzuar dhe kjo është veçanërisht e rëndësishme përgjatë kufijve tanë lindorë, sepse siguria juaj është jetike për të gjithë Evropën”, tha von der Leyen.
“Po investojmë miliarda në mobilitetin ushtarak në rajonet kufitare në mënyrë që, nëse është e nevojshme, trupat dhe pajisjet të mund të dislokohen shumë më shpejt dhe do të trefishojmë financimin në kufij për të forcuar mbrojtjen e tyre”, shtoi ajo.



