BE-ja në solidaritet të plotë me kryeministrin spanjoll, dënon sulmet ndaj tij nga figurat e teknologjisë

Bashkimi Evropian(BE) të premten dënoi sulmet ndaj kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez, duke shprehur solidaritet të plotë me Sanchez mes kritikave në rritje nga figura të shquara të teknologjisë mbi rregulloret e planifikuara të mediave sociale të Spanjës, transmeton Anadolu.
“Solidaritet të plotë me kryeministrin spanjoll. Ne, sigurisht, dënojmë çdo sulm ndaj udhëheqësve të shteteve tona anëtare”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Thomas Regnier, në një konferencë për shtyp në Bruksel.
Regnier tha se BE-ja mbështet përpjekjet si në nivel evropian ashtu edhe në atë kombëtar për të mbajtur platformat digjitale përgjegjëse, duke treguar Aktin e Shërbimeve Digjitale (DSA) të bllokut si një instrument kyç.
Rregullat digjitale të bllokut kërkojnë që platformat e mëdha online të trajtojnë përmbajtjen e paligjshme, të zvogëlojnë rreziqet për të miturit dhe të sigurojnë transparencë më të madhe, duke mbrojtur të drejtat themelore.
Komentet vijnë pas kritikave publike ndaj Sanchez nga figurat e industrisë së teknologjisë, pasi qeveria e tij njoftoi plane për të shtrënguar mbikëqyrjen e platformave të mediave sociale.
Bashkëthemeluesi i Telegram, Pavel Durov, argumentoi se masat e propozuara të Spanjës kërcënonin “liritë e internetit” dhe rrezikonin ta kthenin vendin në një “shtet mbikëqyrës”.
Miliarderi amerikan i teknologjisë dhe pronari i X, Elon Musk, gjithashtu e shënjestroi kryeministrin Sanchez në fillim të kësaj jave, duke e etiketuar udhëheqësin spanjoll si “fashist totalitar” dhe “tiran” në postimet e tij në platformë.
Qeveria spanjolle njoftoi më 3 shkurt se planifikon t’u ndalojë të miturve nën moshën 16-vjeç të hyjnë në platformat e mediave sociale, si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të forcuar mbrojtjet në internet.
Sipas masave të propozuara, platformat digjitale do të detyrohen të prezantojnë sisteme verifikimi të moshës.
Sanchez tha gjithashtu se qeveria do të paraqesë një projektligj javën e ardhshme që do t’i bënte drejtuesit e platformave digjiitale penalisht përgjegjës për shpërndarjen e përmbajtjes së paligjshme dhe u kërkoi prokurorëve të hetojnë materialet e paligjshme që qarkullojnë në internet.



