BE-ja hedh poshtë pretendimin e ministrit izraelit të drejtësisë se blloku synon të rrëzojë qeverinë në Tel Aviv

Bashkimi Evropian (BE) ka hedhur poshtë pretendimet e ministrit izraelit të Drejtësisë, Yariv Levin, se blloku po punon për rrëzimin e qeverisë së tij, duke i quajtur akuzat “krejtësisht të pavërteta, fyese dhe të papranueshme”, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi Anouar El Anouni tha se deklaratat që i atribuohen Levinit përmes avokatit të tij janë të pabazuara.
“Pretendimet e bëra nga një avokat që përfaqëson ministrin e Drejtësisë Yariv Levin lidhur me BE-në janë krejtësisht të pavërteta, fyese dhe të papranueshme”, tha El Anouni gjatë një konference për media të Komisionit Evropian.
“Dua ta bëj të qartë nga këtu: BE-ja kurrë nuk ka tentuar dhe nuk do të tentojë të rrëzojë një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe presim që këto komente të tërhiqen menjëherë”, shtoi ai.
El Anouni theksoi gjithashtu se BE-ja është “krenare” për mbështetjen e saj për organizatat e shoqërisë civile në mbarë botën, përfshirë edhe në rajon.
Ai tha se blloku mbështet organizata që promovojnë vlerat demokratike, të cilat përbëjnë thelbin e marrëdhënieve të BE-së me Izraelin, përfshirë lirinë e shprehjes dhe lirinë e protestës.



