BE-ja do të pezullojë kundërmasat ndaj SHBA-së

Bashkimi Evropian do t’i mbajë të pezulluara kundërmasat e saj tregtare kundër SHBA-së, por paralajmëroi se ato mund të riaktivizohen nëse është e nevojshme, transmeton Anadolu.
Duke folur në konferencën e Komisionit Evropian në mesditë në Bruksel, zëdhënësi Olof Gill tha se blloku i arriti objektivat e tij përmes mjeteve diplomatike dhe politike, pas vendimit të Washingtonit për të hequr kërcënimin e tarifave të reja.
“Kjo javë tregoi se BE-ja është plotësisht e përgatitur të veprojë kur të jetë e nevojshme”, tha Gill duke shtuar se dialogu do të mbetet gjithmonë qasja e preferuar e BE-së mbi “një spirale masash dhe kundërmasash”.
“Me heqjen e kërcënimit të tarifave nga SHBA-ja, tani mund të kthehemi në çështjen e rëndësishme të zbatimit të Deklaratës së Përbashkët BE-SHBA”, tha ai duke shtuar se deklarata “mbetet udhërrëfyesi ynë për krijimin e kushteve të qëndrueshme dhe të parashikueshme të nevojshme për tregtinë transatlantike”.
Gill tha se Komisioni Evropian së shpejti do të propozojë zgjatjen e pezullimit të kundërmasave të BE-së, të cilat do të skadojnë më 7 shkurt. “Prandaj, masat do të mbeten të pezulluara, por nëse na duhen në çdo moment në të ardhmen, pezullimi i tyre mund të hiqet”, tha ai.
Komentet e Gill-it erdhën mes tensioneve të shtuara mbi lidhjet transatlantike në javët e fundit, veçanërisht pas përpjekjeve të presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të blerë Grenlandën, një territor vetëqeverisës brenda Mbretërisë së Danimarkës.
Vendet evropiane e kundërshtuan fuqimisht këtë veprim, duke shprehur mbështetje për sovranitetin dhe integritetin territorial të Danimarkës. Pasi Trumpi kërcënoi me tarifa të reja javën e kaluar, BE-ja u zotua të përgjigjej me kundërmasa.
Trumpi e zbuti tonin e tij të enjten pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte në Davos. Ai njoftoi se kishin diskutuar një kornizë për një marrëveshje mbi Grenlandën që do të adresonte shqetësimet e tij të sigurisë dhe do të kundërshtonte ndikimin rus dhe kinez.
Trump gjithashtu tërhoqi kërcënimet e tij për tarifa kundër vendeve evropiane që kishin kundërshtuar ofertën e tij për Grenlandën.


