BE-ja do ta vërë në shqyrtim Marrëveshjen e Asociimit me Izraelin

Bashkimi Evropian (BE) do të nisë një shqyrtim të Marrëveshjes së Asociimit që i mundëson privilegje tregtare Izraelit, mes shqetësimeve në rritje për krizën humanitare në Gaza, njoftoi sot shefja e politikës së jashtme e bllokut, Kaja Kallas, raporton Anadolu.
“Nga diskutimi i sotëm është e qartë se ka një shumicë të fortë në favor të shqyrtimit të Nenit Dy të Marrëveshjes sonë të Asociimit me Izraelin. Prandaj, ne do ta nisim këtë punë”, tha Kallas në një konferencë për shtyp pas një takimi të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së në Bruksel.
“Ndërkohë, i takon Izraelit të zhbllokojë ndihmën humanitare. Shpëtimi i jetëve duhet të jetë përparësia jonë kryesore”, shtoi ajo.
Kallas e përshkroi situatën humanitare në Gaza si “katastrofike” dhe tha se ndihma e financuar nga BE-ja po bllokohet në kufij.
“Ndihma që Izraeli ka lejuar të hyjë është, sigurisht, e mirëpritur, por është një pikë uji në oqean. Ndihma duhet të rrjedhë menjëherë, pa pengesa dhe në shkallë të gjerë, sepse kjo është ajo që nevojitet”, shtoi ajo.
Ajo theksoi se “ka mijëra kamionë” të bllokuar në kufij dhe se “100 kamionët e ardhur janë një hap i mirëpritur, por nuk është i mjaftueshëm, sepse nevojat janë shumë, shumë më të mëdha”.
Kallas tha se vendimi për të shqyrtuar marrëveshjen sinjalizon një qëllim të fortë politik nga shtetet anëtare të BE-së.
“Nuk do të them numra (të saktë) dhe nuk do të them shtete anëtare, por mund të them se ishte një shumicë e madhe për këtë”, tha kryediplomatja evropiane.



