BE ia tërheq vërejtjen Vuçiqit për vizitën e paralajmëruar në Moskë

Bashkimi Evropian i ka tërhequr vërejtjen Serbisë se raportet me Moskën zyrtare nuk mund të jenë normale për një shtet që synon anëtarësimin në bllokun evropian.
“Faktikisht, ne kemi qenë të qartë jo vetëm me shtetet anëtare, por edhe me partnerët tanë, përfshirë vendet kandidate si Serbia, se marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të shihen si diçka normale me regjimin e Presidentit Putin, në rrethanat aktuale, gjatë luftës së paprovokuar dhe të pajustifikuar të agresionit ndaj Ukrainës”, tha Paola Pinho – zëdhënëse e Komisionit Evropian.
Këto mesazhe të Brukselit vijnë në dritë të konfirmimit të vet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se do të marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të Ditës së Fitores të 9 majit, e cila organizohet çdo vit në Moskë.
“Sigurisht, ne e shohim këtë shënim të 9 majit si pjesë të propagandës së Rusisë dhe si një përpjekje për të justifikuar pushtimin e Ukrainës. Për këtë arsye, ne qëndrojmë prapa idesë se duhet të përmbahemi nga dhënia e legjitimitetit në çfarëdo mënyre kësaj lufte dhe të përmbahemi nga pjesëmarrja në festimet e 9 majit në Moskë. Ky është një qëndrim për të cilin u dakorduan të gjitha shtetet anëtare në vitin 2022”, shtoi ajo.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, presidenti serb ka zbatuar me sukses politikën e dy karrigeve, ku njëkohësisht ka kultivuar raporte të mira si me Brukselin, ashtu edhe me Moskën. Mirëpo, që nga fillimi i agresionit rus, Vuçiq nuk ka vizituar Moskën, ndonëse është takuar shkurt me Putinin në Kinë.
Vizita eventuale e Vuçiqit në Moskë më 9 maj do të shënonte një kthesë tjetër në raportet e liderit serb me Perëndimin, sepse i është tërhequr vërejtja se një hap i tillë nuk do të shihej mirë nga këndvështrimi i Brukselit.