BE i bën thirrje Izraelit të ndalë rritjen e dhunës nga kolonët në Bregun Perëndimor

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Izraelit të ndërmarrë masa për të ndalur dhunën në rritje të kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke paralajmëruar se situata atje “po përkeqësohet me shpejtësi”.
“Në ditët e fundit ka pasur një rritje të ndjeshme të dhunës nga kolonët, frikësimeve dhe shkatërrimit të shtëpive e pronave – përfshirë vrasjen e tre palestinezëve në Kafr Malik të mërkurën,” thuhet në një deklaratë të zëdhënësit të politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së, Anouar El Anouni.
“Kjo duhet të marrë fund.”
El Anouni i kërkoi Izraelit “të ndërmarrë hapa konkretë për të parandaluar dhunën e kolonëve ndaj palestinezëve dhe për të siguruar që autorët e këtyre krimeve të mbajnë përgjegjësi”.
“Në këtë situatë të vështirë, të gjitha përpjekjet duhet të përqendrohen në uljen e tensioneve,” shtoi ai.
“BE-ja rikujton se vendbanimet izraelite janë të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare dhe përbëjnë një pengesë për paqen.”
Më herët gjatë ditës, Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) raportoi se ka dokumentuar të paktën 23 sulme nga kolonët izraelitë ndaj palestinezëve në periudhën 17-23 qershor, ku mbeti i vrarë një burrë palestinez dhe 14 të tjerë u plagosën. /Al Jazeera/