BE: Gaza është pjesë integrale e shtetit të ardhshëm palestinez
Gaza duhet të jetë një pjesë thelbësore e një shteti të ardhshëm palestinez, tha sot zëdhënësi i BE-së për punët e jashtme, raporton Anadolu.
BE-ja mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj një zgjidhjeje me dy shtete, për të cilën blloku beson se është e vetmja rrugë drejt një paqeje afatgjatë si për izraelitët, ashtu edhe për palestinezët, tha Anouar El Anouni në një konferencë shtypi në Bruksel.
Ai tha se BE-ja ka deklaruar qartë se Gaza është pjesë integrale e një shteti të ardhshëm palestinez.
Zyrtari nënvizoi se qëndrimi i bllokut është se nuk duhet të ketë më zhvendosje të detyruara të palestinezëve.
Deklarata vjen pas komenteve tronditëse të presidentit amerikan Donald Trump se SHBA-ja do të “marrë nën kontroll” Gazën pas zhvendosjes së palestinezëve në vende të tjera, si Egjipti dhe Jordania, një ide e dënuar dhe e refuzuar nga bota arabe dhe vende të tjera.