BDI s’ka asgjë kundër që LEN-i të ketë anëtar në KSHZ

Pas debatit të ashpër në Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime rreth CV-së së kandidatit për anëtar të KSHZ-së Abdush Demirit, që vjen si propozim i opozitës shqiptare LEN, komisioni u rimblodh dhe vendosi që të kalojë e gjithë lista me 5 kandidatë.
“Shpresoj të kemi një situatë normale, që i gjithë procesi të zhvillohet konform Kodit Zgjedhor dhe Rregullores së Kuvendit dhe në esencë të kemi një KSHZ të kompletuar, për shkak se vetëm në këtë mënyrë kemi parakushtet që në zgjedhjet e ardhshme do të jenë demokratike dhe të lira. Në momentin që kemi bllokadë nga ana e shumicës parlamentare për ta plotësuar këtë vend vakant që i takon opozitës shqiptare, porosia është shumë e qartë se pushteti përgatitet për manipulime”, tha Fadil Zendeli, LEN.

Nënkryetari i BDI-së, njëherit edhe koordinator i grupit parlamentar të integristëve, Arbër Ademi, mbrëmë i tha TV21 tha se nuk kanë asgjë kundër që opozita shqiptare të ketë anëtarin e saj në KSHZ, por të jetë sipas ligjeve.
“Opozita në tërësi është e përfaqësuar, VMRO-DPMNE ka përfaqësuesit e vet. Tash i mbetet opozitës shqiptare, në përputhje me dispozitat ligjore, këtu nuk kemi asgjë kundër, asgjë kontestuese në këtë drejtim, që të kenë edhe anëtarin e saj, të ketë balancë të forcave, por vendimet duhet t’i marrin në përputhje me ligjin”, pohoi Arbër Ademi, BDI.

Si e komentoni ju këtë deklaratë të Arbër Ademit?
“Mendoj se është pozitive. Nuk e kam ndjekur, por tash e dëgjoj nga ju… është diçka që është konform asaj që është legjislacioni i vendit, Kodit Zgjedhor që i përcakton ndarjet e vendeve në KSHZ, vendi është vakant për opozitën shqiptare dhe konform kësaj, nëse është një deklaratë e tillë nga ana e koordinatorit të BDI-së, mund ta vlerësoj si pozitive”, tha Zendeli.

Nga ana tjetër, i pyetur rreth kësaj çështjeje kryeministrit Dimitar Kovaçevski nga Brukseli tha se ligjet nuk mund të interpretohen kush si të dëshirojë.

“Numri i anëtareve të KSHZ-së është i cekur në ligj dhe unë jam njeri që disa herë e përsëris se nuk mund të interpretojmë ligje kush si të dëshirojë. Obligim i Kuvendit dhe partive të përfaqësuara në Kuvend është që përmes komisioneve përkatëse ta kompletojnë përbërjen e KSHZ-së, gjithçka tjetër është improvizim që mund të njollosë procesin zgjedhor”, pohoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

“Shumë dakord ja se ligjet nuk mund të interpretohen kush si të dojë, situata është shumë e qartë. tërë kohën jam thirrur në Kodin Zgjedhor dhe Rregullores së Kuvendit , por nga ana tjetër kurrë s’kam dëgjuar nga ata që e pengojnë procesin që të tregojnë se pse ky proces nuk është në rregull ose nuk i takon ky vend opozitës shqiptare”, deklaroi Fadil zendeli, LEN.

KSHZ gjithsej duhet të ketë 7 anëtarë, por për momentin ka vetëm 6, pasi anëtari i ASH-së Krenar Lloga u bë Ministër kur partia e tij u bë pjesë e Qeverisë, duke e lënë kështu një vend vakant në KSHZ, e të cilin sërish e pretendon Aleanca për Shqiptarët.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button