BDI nuk e kishte vrarë mendjen asnjëherë për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe

Tema për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe nuk i pati vrarë sytë asnjëherë BDI-së, dhe as zyrtarëve të saj. Kandidatë të panumërt, familjarë e të afërm të vetë zyrtarëve të BDI-së e jepnin këtë provim në gjuhën maqedonase për vite me radhë pa shqetësimin më të vogël, madje edhe zv/ministrat e Drejtësisë nuk e gjetën asnjëherë arsyen për të bërë këtë testim edhe në shqip, veçanërisht edhe në kohën kur qeverisnin me LSDM-në e “Maqedonisë qytetare”. As në programet parazgjedhore të saj, BDI-ja nuk e kishte parashikuar asnjëherë një gjë të tillë, edhe pse në dhjetëra faqe program premtohej zbatim i gjuhës nëpër institucione si dhe reforma cilësore në gjyqësor. Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, në vazhdën e justifikimeve të kësaj partie, konfirmoi se kjo çështje nuk është trajtuar deri më sot, pasi nuk e kishin kërkuar studentët.

“Ju gënjejnë kur ju thonë se ka pasur ministra në Ministrinë e Drejtësisë për ta zbatuar. Sot kjo kërkesë është aktualizuar, sot kjo kërkesë është parashtruar dhe ne po e shohim se ligji e lejon. Tash çka të bëjmë? Në qoftë se s’ka qenë 30 vite, a nuk duhet edhe sot të jetë? Sot është aktualizuar kërkesa, sot është parashtruar kërkesa, madje nuk duhet fare kërkesë”, deklaroi Arbër Ademi, Sekretar i Përgjithshëm i BDI-s.

Pavarësisht kërkesës ose jo të studentëve, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në janar të vitit 2019, ndërsa në afat prej 1 viti, rridhte procesi i harmonizimit e të gjitha ligjeve të tjera me të. Madje, në kohën kur vetë BDI-ja kryesonte edhe Kuvendin me Talat Xhaferin, pati miratuar edhe Ligjin e Provimit të Jurisprudencës, pa e harmonizuar me Ligjin e Gjuhëve. Një vit më vonë, BDI-ja do t’i shpallte të mbyllura e të realizuara çështjet etnike, saqë shiti teorinë e politikave të gjelbra për qytetarët, të cilët veç më besonin se shqipja ishte plotësisht zyrtare.

” Pas miratimit të pjesës normative të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit dhe të zbatimit të përditshëm të saj, reformave thelbësore, anëtarësimit në NATO dhe vulosjes së të ardhmes evropiane, ka ardhur koha që Bashkimi Demokratik për Integrim, të fokusohet tërësisht në cilësinë e të jetuarit e kushteve të jetesës së përditshme”, deklaroi Ali Ahmeti, Kryetar i BDI, më 5 qershor 2021.

Nëse hapim portofolin e temës “Jurisprudenca”, mund të shihet se kjo temë në kohën e BDI-së ishte alarmuar nga mediat dhe nga Komisioni për Antikorrupsion, dhe jo për gjuhën e provimit – por për mënyrën e dhënies së provimit të jurisprudencës. Respektivisht, u bë mediatik rasti i Barletit, djalit të Talat Xhaferit i cili sipas Antikorrupsionit kishte dhënë provimin e jurisprudencës para se të mbaronte fakultetin, firmosur nga ministri i Drejtësisë nga BDI-ja, Adnan Jashari.

“Mund të vijmë në konkluzion se kandidati e ka kaluar provimin e jurisprudencës më 5 dhjetor 2015, ndërsa studimet me të cilat ka përfituar 300 kredi i ka mbaruar më 7 korrik 2015. Domethënë pas dhënies së provimit të jurisprudencës”, tha Biljana Ivanovska, Kryetare e Antikorrupsionit, në vitin 2022.

Megjithatë çështja përfundoi në qorrsokak, pasi dokumentet në bodrumet e Ministrisë ruhen vetëm 1 vit. Barlet Xhaferi, së fundmi u bë prokuror, me provim në maqedonisht, dhe BDI-ja as këtu nuk u shqetësua për shqipen. Kur Avokati i Popullit doli një javë më parë, se provimi duhet të të mbahen në shqip, vetëm me kërkesë të kandidatit, sekretari i përgjithshëm i BDI-së Arbër

Ademi i cili dje marshonte në protestë si profesor, shkruante në status se një provimi shqip me kërkesë bie ndesh me nenin 6 paragrafin 1 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, i cili obligon institucionet që me detyrë zyrtare të sigurojnë zhvillimin e procedurave në gjuhën shqipe dhe alfabetin e saj, nëse kandidati është shqiptar dhe jo vetëm pas një kërkese të veçantë nga ana e tij. /Alsat.mk/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button