BDI mbron Fatmir Deharin pas publikimit të përgjimeve nga El Cheka

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) reagoi pas zhvillimeve të fundit në fushatën zgjedhore për Komunën e Kërçovës, duke paralajmëruar se “beteja për Kërçovën po shndërrohet sërish në një garë etnike” në vend që të mbetet “një përballje idesh dhe vizionesh për qytetin”.

Në deklaratën për opinionin publik, partia thekson se pas tensioneve të fundit “janë aktivizuar mekanizmat e nëntokës – laboratorët e shërbimeve që punojnë në errësirë – për t’i ndarë, për t’i përçarë dhe për t’i diskredituar përfaqësuesit shqiptarë politikë”.

“Ne e njohim mirë këtë skenar: kur nuk mund të munden me ide, kur nuk kanë projekt, shpikin skandale, montojnë biseda, fabrikojnë ‘fakte’ dhe i shpërndajnë me qëllim të vetëm – që qytetari të humbasë besimin te politika dhe të qëndrojë në shtëpi ditën e vendimit”, thuhet në reagim.

BDI u bëri thirrje qytetarëve të Kërçovës “të mos bien në grackën e propagandës” dhe të ruajnë qetësinë dhe dinjitetin përballë fushatës së shpifjeve.

“Kërçova nuk do të bjerë në këtë grackë. Qytetarët tanë janë të mençur, dinë të dallojnë propagandën e fabrikuar nga realiteti. Ne do të vazhdojmë me qetësi, me dinjitet dhe me bindjen se e ardhmja e Kërçovës nuk ndërtohet me shpifje, por me punë, me përkushtim dhe me respekt për secilin qytetar – pa dallim etnie apo përkatësie”, thuhet më tej.

Në fund, BDI thekson rëndësinë e verifikimit të çdo materiali audio që qarkullon në publik, duke paralajmëruar kundër spekulimeve të parakohshme.

“Është thelbësore që para çdo reagimi publik apo nxjerrjeje përfundimesh të verifikohet me kujdes autenticiteti i materialit audio. Vetëm pas një vlerësimi të qartë dhe të besueshëm nga institucionet apo ekspertët përkatës mund të flitet me përgjegjësi mbi përmbajtjen e tij. Çdo koment apo diskutim pa një konfirmim të tillë do të ishte spekulativ dhe potencialisht i dëmshëm”, përfundon deklarata e BDI-së.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button