BDI: Ali Ahmeti do të marrë pjesë në takimin e liderëve, dialogu politik mbetet prioritet

Bashkimi Demokratik për Integrim njoftoi sot se Kryetari i partisë, Ali Ahmeti, ka konvokuar mbledhjen e dytë të Këshillit të Përgjithshëm, ku në fokus ishin zhvillimet aktuale politike në vend dhe raportet me partitë e tjera politike.
Në komunikatën e BDI-së thuhet se gjatë mbledhjes është diskutuar gjerësisht edhe për takimin e paralajmëruar të liderëve politikë, ndërsa Këshilli i Përgjithshëm, me unanimitet të plotë, ka vendosur që Ali Ahmeti të marrë pjesë në këtë takim.
“Këshilli i Përgjithshëm vendosi që Kryetari Ali Ahmeti të marrë pjesë në takimin e liderëve, duke dëshmuar edhe një herë se Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet një parti politike serioze, e përgjegjshme dhe shtetformuese,” thuhet në njoftim.
Nga BDI theksojnë se partia vazhdon të kultivojë dialogun politik dhe të angazhohet për ndërtimin e konsensusit rreth çështjeve kyçe politike dhe ekonomike të vendit.
Sipas komunikatës, në kuadër të kompetencave statutore, Ali Ahmeti do të ketë ekskluzivitetin për hapjen dhe trajtimin e temave që konsiderohen jetike dhe strategjike për vendin.
“Këto tema kanë të bëjnë me perspektivën evropiane, stabilitetin politik dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik,” thekson BDI.
Njëkohësisht, Këshilli i Përgjithshëm u ka bërë thirrje partive politike që ndajnë vizion të përafërt me BDI-në, si dhe kapaciteteve intelektuale, shoqërore dhe profesionale, që t’i bashkëngjiten këtij formacioni politik.
“BDI mbetet e hapur për inkorporimin dhe absorbimin e gjithë potencialit intelektual dhe politik në vend, me qëllim avancimin e politikave dhe vizionit që janë në interes të shtetit dhe të të gjithë qytetarëve pa dallim,” thuhet më tej në komunikatë.
Nga partia theksojnë se kjo thirrje u drejtohet të gjitha subjekteve politike, asociacioneve shoqërore, intelektuale dhe profesionale që ndajnë vizionin për një shtet stabil, demokratik dhe të zhvilluar.



