BBC kërkon rrëzimin e padisë së Trumpit për shpifje prej 5 miliardë dollarësh

BBC do t’i kërkojë një gjykate amerikane të rrëzojë padinë për shpifje të Donald Trump, që kërkon 5 miliardë dollarë nga transmetuesi publik britanik për një video të diskutueshme të montuar të një fjalimi, sipas dokumenteve të gjykatës.

Presidenti amerikan ngriti një padi në Florida në dhjetor, duke akuzuar BBC- në për shpifje dhe shkelje të një ligji për praktikat tregtare. Trump kërkon 5 miliardë dollarë (5.7 miliardë euro) dëmshpërblim dhe interesa për secilën nga akuzat .

BBC kishte transmetuar në programin e saj të lajmeve “Panorama” menjëherë para zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së të vitit 2024, fragmente të ndryshme të një fjalimi të Trump më 6 janar 2021, i cili ishte redaktuar në një mënyrë të tillë që presidenti republikan dukej sikur po u bënte thirrje mbështetësve të tij të sulmonin Kapitolin në Uashington.

Sipas dokumenteve gjyqësore të paraqitura të hënën, avokatët e grupit publik britanik të transmetimeve thonë se do të “kërkojnë të rrëzojnë padinë për shkak të juridiksionit personal” të gjykatës federale në Miami, qyteti ku banon presidenti amerikan.

Ata kanë afat deri më 17 mars për të paraqitur këtë kërkesë për refuzim.

Ata do të argumentojnë se Trump “nuk do të jetë në gjendje të provojë” se dokumentari, i cili u transmetua jashtë Shteteve të Bashkuara, “i shkaktoi atij dëm të njohur ligjërisht”.

Republikani “u rizgjodh më 5 nëntor 2024, pasi u transmetua dokumentari. Ai fitoi Floridën me një diferencë mbresëlënëse prej 13 pikësh, duke përmirësuar performancat e tij të viteve 2020 dhe 2016”, theksojnë ata në këto dokumente, duke vlerësuar se pretendimi i tij “nuk është i pranueshëm”.

Drejtuesi i BBC-së, Samir Shah, i kishte dërguar një letër ku i kërkonte falje Donald Trump, por nuk arriti ta qetësonte atë. Ai tha se ishte i vendosur të kundërshtonte çdo pretendim për shpifje.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button