Bastisje në zyrat e X në Paris, Elon Musk thirret në bisedë informative

Policia franceze e specializuar për luftën kundër krimit kibernetik, me mbështetjen e Europol-it, ka kryer kontrolle në zyrat e lidhura me rrjetin social X, në pronësi të miliarderit Elon Musk, njoftoi prokuroria e Parisit.
Sipas prokurorisë, hetimi fillimisht ishte i fokusuar në algoritmet e rekomandimit të përmbajtjes së platformës, por më pas është zgjeruar edhe ndaj chatbot-it kontrovers të inteligjencës artificiale, Grok. Në kuadër të procedurës, Elon Musk dhe ish-drejtoresha ekzekutive e X, Linda Yaccarino, janë thirrur të paraqiten për marrje në pyetje në muajin prill.
Nga X për momentin nuk ka koment zyrtar. Kompania më herët e ka përshkruar hetimin si një sulm ndaj lirisë së shprehjes dhe ka mohuar akuzat se ka manipuluar algoritmet.
Hetimi u hap në janar të vitit 2025 dhe në korrik u zgjerua pas raportimeve për përhapje të përmbajtjeve “deepfake” seksualisht eksplicite dhe materialeve që mohojnë Holokaustin në platformë. Në atë kohë, X pretendonte se bëhej fjalë për një proces të motivuar politikisht.
Prokurorët francezë tani po hetojnë nëse platforma ka shkelur ligjin në disa fusha, përfshirë bashkëpunim të mundshëm në posedimin ose shpërndarjen e organizuar të materialeve pornografike me fëmijë, shkeljen e së drejtës për imazh personal përmes deepfake-ve seksuale, si dhe nxjerrjen e paligjshme të të dhënave nga grupe të organizuara.
Prokuroria njoftoi gjithashtu se nuk do të komunikojë më përmes X, por deklaratat e saj do t’i publikojë në LinkedIn dhe Instagram.
Në muajt e fundit, X është vënë nën mbikëqyrje të shtuar për shkak të imazheve të seksualizuara të gjeneruara ose të modifikuara me ndihmën e mjetit Grok. Një pjesë e këtyre përmbajtjeve janë krijuar duke përdorur fotografi të grave reale pa pëlqimin e tyre, gjë që ka shkaktuar reagime të ashpra nga viktimat, aktivistët për sigurinë online dhe politikanët. Kompania më pas vendosi masa për të parandaluar këtë praktikë.
Në fund të janarit, Komisioni Evropian hapi një hetim të veçantë kundër kompanisë mëmë të X, xAI, për shkak të shqetësimeve lidhur me imazhet e gjeneruara nga inteligjenca artificiale. Një procedurë e ngjashme ishte nisur më herët edhe nga rregullatori britanik Ofcom.



