Bashkëjetesa fetare, shembulli unik i përbashkimit shqiptar
Në shumë raste, ka pasur tentime për të atakuar pikërisht këtë ekuilibër të përshpirtshëm nga forca, sekte, rryma, që kanë qenë në kundërshtim me këtë harmoni dhe që kanë qenë në funksion të ligjërimeve instrumentalizuese të fesë. Pavarësisht nga kush vijnë dhe nga cila hemisferë fetare, ato mbeten të dëmshme, sepse kanë tendencë për ta polarizuar shoqërinë, për ta atakuar pikërisht atë kod identifikimi plural bashkëjetese fetare brenda qenësisë shqiptare. E drejta e besimit, e përcaktimit, e përkatësisë fetare është e drejtë individuale, ndërsa instrumentalizimi i kësaj të drejtë për kauza publike bie ndesh me kodet e identifikimit identitar në gjithë gjerësinë edhe të përshpirtshmërisë fetare.
Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë
Brenda një planimetrie të rrojtjes kolektive në rrugën e historisë eksplorimi mbi fenë, mbi këtë dimension përhershmërie të ekzistencës njerëzore shfaqet tepër kompleks dhe në të shumtën e rasteve kërkon vite studimesh për të rrokur në thellësi gjithë trajektoren e kuptimeve dhe të interpretimeve. Sigurisht, kjo mbetet një detyrë e njerëzve të dijes, sidomos teologëve, që me përgjegjësi dhe përkushtim të interpretojnë dhe të ndriçojnë gjithë përmasën e përndritur të religjionit, gjithnjë si një mishërim e pashmangshëm i jetës njerëzore, si një kariatidë mbi të cilën qëndron ekzistenca e brishtë njerëzore, që merr kuptim vetëm me këtë përmasë hyjnore, me këtë transadentim, që shkon përtej botës racionale, përtej argumentimeve dialektike, që kanë një limit provash, pra që i nënshtrohen një realiteti objektiv. Sigurisht, jeta njerëzore, nuk mund të kufizohet, të izolohet vetëm në realitetin e argumentueshëm, por projektohet dhe zgjerohet detyrimisht edhe me hemisferat spirituale, që mbeten pjesë e pandashme e qenësisë njerëzore, pjesë e pandashme e raportit të njeriut me Zotin, si besim, si përkatësi dhe si gjallni e kësobotshme, që njeh apriori edhe amshueshmërinë e shpirtit.
Pikërisht, në këtë hulli shikimesh, bota njerëzore njeh edhe religjionet si korpuse të mëdha besimi, që vijnë në këtë kohë të lidhura ngushtë me jetën njerëzore, të lidhura me botëshikimin, por edhe me mënyrën e jetesës. Feja mbetet dimension substancial i jetës njerëzore, për sa kohë që është në funksion të përndritjes njerëzore, për sa kohë që është pjesë e natyrshme, e pakorruptuar e vetë esencës njerëzore, e vetë pranisë dhe transatendimit hyjnor të njeriut.
Tashmë dihet se e drejta e besimit fetar në botën moderne bën pjesë në të drejtën e lirive fetare, në të drejtën për t’i takuar një feje dhe për të ushtruar lirshëm besimin fetar. Në shoqëritë demokratike, e drejta e papenguar e besimit është vlerë universale njerëzore, është e drejtë e garantuar dhe e pakontesueshme.
Për shqiptarët, që kanë njohur regjimin brutal komunist, kjo vlerë bazike njerëzore merr një kuptim substancial, sidomos për faktin që feja në regjimin komunist në Shqipëri ishte e ndaluar, ndërkohë që në hapësirat tjera shqiptare të ish Jugosllavisë kishte një manifestim të cunguar, shpeshherë nën trysni të formave të ndryshme dhe me tendenca për ta bërë të pavërejtshme ose të paqenë. Sigurisht, janë dy realitete të ndryshme, të pakrahasueshme mes vete, për shkak se në Shqipërinë komuniste ishte ndaluar tërësisht feja në vitet e ‘60-ta të shekullit të kaluar, ndërkohë që vetëm pas viteve ‘90-ta ndodhi rikthimi i fesë, rikthimi i këtij dimensioni të munguar që i jep qenies dhe shoqërisë njerëzore rrugën e përndritjes, veprimin me etikë, por edhe kuptimin më të thellë të ekzistencës njerëzore.
Shqiptarët në rrugëtimin historik kanë një trajektore unike. Lashtësia e tyre ka kaluar nëpër eklipse të ndryshme historike, nëpër periudha të ndryshme të vështira të diktuara nga prani perandorish, por shqiptarët mrekullisht kanë mbijetuar, duke e ruajtur identitetin e tyre etnik dhe duke e theksuar këtë identitet përgjatë periudhave të ndryshme historike. Kjo lashtësi dhe kjo trajektore unike historike ka bërë që brenda identitetit shqiptar të shtresohet dhe të mbruhet edhe përmasa e tri religjioneve monoteiste: islami, katolicizmi dhe ortodoksizmi. Ky shtresim tashmë është primordial dhe historik dhe në esencë përfaqëson rastin unik në botë par excellence të bashkëjetesës së më tepër religjioneve brenda njësisë kombëtare.
Identiteti shqiptar është krijuar përgjatë rrugës së komplikuar historike, ndërkohë që gur në këtë ngrehinë kanë vendosur mendje të përshqiptarshme të të tri religjioneve, pa bërë në asnjë rast dallim ose anim nga përkatësia religjioze. Është një shembull tipik madhështie, një shembull unik vetëdije të lartë mbi përkatësisë kombëtare, që shkëlqen me paprekshmërinë pikërisht në ato kode identitare, që kanë formësuar dhe e mbajnë gjallë gjithë universin shqiptar në një shumësi religjioze tërësisht harmonike me atë që nënkupton identitet kulturor të shqiptarëve dhe që gjithnjë mbetet një identitet që i takon hemisferës europiane.
Kjo matricë identitare, ky vizion bashkëjetese fetare, pa diskutim që është mbrujtur nga mendjet më të ndritura të Rilindijes Kombëtare, të cilët pavarësisht përkatësisë fetare krijuan universin shqiptar, atë hapësirë të përndritur kombëtariste që përbrendësonte përshpirtshmërinë edhe të religjioneve, si një lloj inkluziviteti i brendshëm pa më të voglin padurim. Pikërisht për shkak të këtij vizioni gjithëpërfshirës, Rilindja Kombëtare përfaqëson paradigmën identitare të shqiptarëve, atë matricë bashkëjetese fetare dhe përhershmërie, që si shembull unik shqiptarët mund t’ia dhurojnë botës.
Sigurisht, brenda kohës, ka pasur tentime për të atakuar pikërisht këtë ekuilibër të përshpirtshëm nga forca, sekte, rryma, që kanë qenë në kundërshtim me këtë harmoni dhe që kanë qenë në funksion të ligjërimeve instrumentalizuese të fesë. Pavarësisht nga kush vijnë dhe nga cila hemisferë fetare, ato mbeten të dëmshme, sepse kanë tendencë për ta polarizuar shoqërinë, për të atakuar pikërisht atë kod identifikimi plural bashkëjetese fetare brenda qenësisë shqiptare. E drejta e besimit, e përcaktimit, e përkatësisë fetare është e drejtë individuale, ndërsa instrumentalizimi i kësaj të drejtë për kauza publike bie ndesh me kodet e identifikimit identitar në gjithë gjerësinë edhe të përshpirtshmërisë fetare, pavarësisht se nga kush vjen, e zvetënon peizazhin e mrekullueshëm të identitetit unik shqiptar. Dhe, pikërisht, formulat e kuptimeve mbi preokupimet edhe mbi këtë çështje, ne i gjejmë te tradita e mendimit shqiptar. “Fe do të thotë thellësim shpirtëror, bashkim i zemrave, dashuri, devocion, besim”, thotë Branko Merxhani.
Kjo është premisa kryesore e besimit që lejon bashkëjetesën në harmoni të tri religjioneve brenda qenësisë shqiptare. Kjo bashkëjetesë fetare te shqiptarët ka dimensionin e thellë historik dhe kulturor, ka shtresëzimet civilizuese që vijnë të pacifikuara në identitetin shqiptar. Pa diskutim, përveç këtyre dimensioneve, në hapësirën shqiptare edhe institucionet fetare duhet me ngulm dhe me devocion të plotë ta ruajnë dhe kultivojnë madhështinë dhe substancën e bashkëjetesës fetare përtej ligjërimeve instrumentalizuese që kanë për qëllim polarizimet e dëmshme.